Luftëtari ka lënë pas dy rivalët e tij në luftën e mbijetesës, Kastriotin dhe Kamzën, pas fitores së befasishme në Laç, por trajneri Julain Ahmataj e di shumë mirë se duhet vazhdimësi për objektivin sezonal. Pas 3 pikëve të marra në Laç ai theksoi se “ajo fitore nuk ishte asgjë”, ndaj dhe të dielën do të kërkojë me çdo kusht një tjetër fitore nga të tijtë.
Për trajnerin elbasanas, i cili zëvendësoi disa ditë më parë Gentian Mezanin, është ndeshja e parë në Gjirokastër dhe ky është një motiv më shumë për të mposhtur Flamurtarin. Por nuk do të jetë e lehtë, sepse vlonjatët, pavarësisht problemeve që po kalojnë, nuk thyhen lehtë. E treguan edhe në Durrës në javën e parë të fazës së tretë.
Te Luftëtari janë shtuar alternativa pas afrimeve të fundit të merkatos së dimrit, ndërsa Flamurtari nuk do të jetë i plotë edhe këtë radhë. Parashikohet një sfidë e luftuar, ku Luftëtari niset favorit për disa arsye, pasi vjen nga fitorja në transfertë në kampionat dhe kualifikimi në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.
Kamza dhe Kastrioti, dy rivalët e gjirokastritëve, kanë ndeshje të vështira këtë javë dhe 3 pikë të tjera do ta shkëpusnin edhe më shumë Luftëtarin nga zona e ftohtë. Po ashtu, Luftëtari shpenzoi më pak energji se vlonjatët në mesjavë.