Flamurtari dhe Luftëtari rrezikojnë seriozisht të penalizohen me pikë në fund të këtij sezoni. Nëse për klubin vlonjat çështja e gjyqeve është një histori e vjetër, tashmë thuajse në të njëjtën situatë po bëhen edhe gjirokastritët. Vonesat e pagesave dhe kontratat e pazgjidhura në mënyrë konsensuale me lojtarët kanë bërë që dy klubet të futen në kaos. Panorama Sport shkruan se FIFA u ka nisur shkresa ultimative të dy klubeve.
Ka dy vite që ka humbur gjyqin me Mlladen Milinkoviç dhe klubi i Luftëtarit nuk e ka shlyer ende trajnerin serb, teksa i detyrohet 18 mijë euro. Vetëm pak ditë më parë palët kanë gjetur një marrëveshje që serbi të paguhet brenda muajit maj, duke shmangur penalizmin me pikë të klubit.
Por, në Gjirokastër kanë bërë “vetëvrasje”, pasi dështimet e merkatos së verës së vitit 2018, si Nemanja Janiçiç, Balsa Radoviç dhe Vladan Milosavljev, kanë paditur klubin në FIFA dhe kanë fituar gjyqet. Kësisoj, edhe këta të fundit tashmë presin të paguhen, teksa bëhet fjalë për shifra të mëdha. Por, një histori më vete është ajo e portierit Ilias Melkas, që nuk luajti as një ndeshje me Luftëtarin.
Ai ka paditur klubin në DHZK dhe tashmë Luftëtari i detyrohet një shumë prej 7 mijë eurosh. Një situatë kaotike, me klubin që i duhet të vuajë prej zgjedhjeve të gabuara të ish-trajnerit Millosh Kostiç dhe ish-drejtorit Vangjel Çavo.