Largohet Vladimir Esin. Rusi hap “dritaren” e largimeve te Luftëtari. Edhe pse jemi në fazën kulminante të kampionatit, në Gjirokastër ka rrjedhje. Rusi i ardhur me pritshmëri të mëdha në janar nuk ka bindur dhe për rrjedhojë, drejtuesit kanë menduar që t’i bëjnë dalje.
Ai prej dy ditësh nuk është dukur as në stërvitje, çka dëshmon se tashmë gjithçka ka mbaruar. Burime të sigurta për “Panorama Sport” konfirmojnë se klubi dhe 24- vjeçari po negociojnë për të prishur kontratën me konsensus, madje drejtuesit janë duke u interesuar që t’i gjejnë edhe ekip të ri, ndoshta në vendet e Lindjes, ku tregu i shitblerjeve të lojtarëve është akoma i hapur.
Duhet thënë se nuk ka debutuar ende me fanellën bluzi, pasi zyrtarisht nuk ka marrë asnjë minutë në 7 ndeshje që janë luajtur, që prej hyrjes së 2019-ës. Mëngjarashi nuk po gjen dot vend titullari dhe kaq ka mjaftuar që palët të mendojnë si zgjidhje “divorcin”. Nëse Dhimitris Koconis, Angleos Hanti apo Mërgim Neziri e kanë justifikuar veten, Esin nuk e tregoi kurrë se çfarë di të bëjë.
Mangësitë e përgatitjes së theksuar fizike, ndoshta edhe cilësitë, kanë bërë që palët të ndahen pa u mbyllur ende sezoni futbollistik. Përgjegjësi për këtë “blof” kanë pa dyshim përgjegjësit e merkatos. Dy ditë më parë, mungesa e Esin në stërvitje u justifikua me faktin që ishte duke u marrë me dokumentacionin në ambasadën ruse, ndërsa dje është mësuar gjithçka mbi të ardhmen e mesfushorit.