Një redaktore lajmesh në një televizion rus ndërpreu transmetimin live duke mbajtur një pankartë ku thuhej: “Jo luftës, ndaloni luftën. Mos besoni propagandën, këta këtu po ju gënjejnë”. Gazetarja Marina Ovsyannikova rrezikon shumë me këtë veprim
Nga Jenny Hill, BBC
Mendoj se ia vlen vërtet të theksohet se sa i madh është guximi i jashtëzakonshëm i kësaj gazetareje, e cila ngrihet për një protestë të një profili kaq të lartë.
Duhet të theksojmë gjithashtu gjasat që ajo të përballet me pasoja shumë të rënda.
Kremlini ka vendosur dënime mjaft të rënda kundër njerëzve që marrin pjesë në protesta të paligjshme, për shembull ata mund të dërgohen në burg deri në tetë vite.
Personat që publikojnë ato që Kremlini i konsideron si informacione të rreme për ushtrinë ruse dhe aktivitetet e saj gjithashtu mund të përballen me dënime të rënda deri në 15 vite burg.
Ka një mori ligjesh të tjera sipas të cilave ne supozojmë se ajo mund të ndiqet penalisht. Do të duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.
Protestat kanë vazhduar çdo ditë që nga fillimi i këtij pushtimi dhe thuhet se janë arrestuar rreth 15 mijë persona.
Ajo padyshim që do të bëhet një simbol për këta njerëz. A do i ndryshojë ajo pikëpamjet e rusëve, të cilët shohin kryesisht televizionin shtetëror dhe besojnë linjën e Kremlinit? Kjo është më e vështirë për t’u përgjigjur.