Shoqata e Arkitektëve ka dalë me një qëndrim publik mbi zhvillimet administrative në lidhje me trashëgiminë kulturore në qytetin- muze të Gjirokastrës.
Duke u shprehur se Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje dhe interesim zhvillimet me përcaktimet, klasifikimet dhe inventarizimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore në Gjirokastër, ajo shpreh shqetësimin, që veprimet administrative të kohëve të fundit mund të rezultojnë në një reduktim të vlerave historike, arkitektonike, të trashëgimisë historike dhe kulturore për të cilën Gjirokastra është shpallur vlerë e trashëgimisë botërore nga UNESCO.
“Për më tepër, shqetësim i Shoqatës së Arkitektëve të Shqipërisë është edhe mungesa e një transparence në procesin e klasifikimit, hartimit apo ndryshimit të listave të monumenteve të trashëgimisë kulturore”, thuhet në deklaratë.
Sipas shoqatës, komunikimi institucional, mungesa e informimit të publikut për procesin, informim që institucionet publike e kanë detyrim ligjor, vetëm shton shqetësimin e publikut në përgjithësi dhe të mjedisit profesionist të arkitektëve, urbanistëve, restauratorëve dhe projektuesve.
“Gjirokastra mbart vlera unikale botërore dhe si e tillë, meriton vëmendjen dhe kujdesin maksimal, transparencën më të plotë në çdo hap të vendimmarrjes institucionale”.
SHASH shënon se do vazhdojë të ndjekë me kujdes zhvillimet, duke i dedikuar kësaj çështjeje edhe trajtim të veçantë në Asamblenë e Përgjithshme të anëtarësisë, dhe inkurajon autoritetet për ndërtimin e një ure komunikimi në mjedisin profesional për të adresuar shqetësimin publik në lidhje me vendimmarrjet mbi trashëgiminë kulturore në Gjirokastër dhe jo vetëm.