Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Robert Lili, është liruar nga detyra në mbledhjen e sotme të qeverisë. Lajmin e konfirmon Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përmes një njoftimi për mediat, ku jepet gjithashtu edhe emri i drejtori të ri të AKU-së.
Njoftimi
Në mbledhjen e sotme të qeverisë është marrë vendim për lirimin nga detyra të Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, z. Robert Lili.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z.Bledi Çuçi e falënderon për kontributin e deritanishëm dhe punën e lavdërueshme të bërë në drejtimin e AKU-së, procesin e nisur të reformimit dhe shndërrimit të AKU-së në një njësi inteligjente. Z.Lili do të vijojë angazhimin profesional brenda strukturave të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Po sot, me vendim të Këshillit të Ministrave është emëruar drejtori i ri i këtij institucioni, z.Bledar Skënderi. Shprehim besimin se ai do të punojë me përkushtim dhe do të çojë përpara procesin e ristrukturimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit i nisur nga paraardhësi i tij, si dhe do të adresojë si duhet të gjitha sfidat dhe problematikat që lidhen me sigurinë ushqimore në vend.
Bledar Skënderi, i cili më parë ka mbajtur postin e zëvendës-drejtorit të ALUIZNI-t, zëvendës-drejtor te Burgjeve, si dhe jurist në Komunën Dajt, deri me tani ka qenë anëtar i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.