Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar Policinë e Shtetit për zbardhjen e atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe arrestimin e Redjan Rrajës, ndërsa ka njoftuar se brenda muajit qeveria do të miratojë një ligj special kundër KÇK-së, pra gjyqtarëve dhe prokurorëve të inkriminuar. “Do t’i nxjerrim ujë të zi” shkruan Rama ndërsa flet për luftën kundër krimit të organizuar dhe në veçanti gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.
“Përshëndes me respekt punën e shkëlqyer të Policisë së Shtetit për zbardhjen e ngjarjes kriminale, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit. Brenda muajit Ligji Special kundër personave të dënuar, akuzuar a hetuar brenda/jashtë vendit për krim të organizuar apo krime të rënda dhe masat speciale kundër KÇK-së. Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit të organizuar dhe do të reagojmë frontalisht ndaj gjykatësve e prokurorëve të inkriminuar, që duan “të kapin ç’të kapin”, deri ditën kur kanë radhën e spastrimit nga Vetingu”, shkruan kryeministri ndërsa shton se lufta ndaj tyre do të vijojë deri në fund me zero tolerancë.
Realstory.al ka mësuar se tashmë prej disa muajsh, disa dhjetëra oficerë, jo vetëm janë përzgjedhur por dhe janë trajnuar, në mënyrë që në momentin që baza ligjore të miratohej, kjo forcë të hynte mënjëherë në fuqi dhe në operacion. Kryeministri mesa duket e ka patur në kokë dhe modelin. Ai është grupi elitë Fauda i forcave policore izraelite.
I krijuar nga ish pjesëtarë të shërbimeve sekrete dhe ushtarakë, ky grup është i specializuar në Izrael në kapjen apo eleminimin e elementëve të rrezikshëm terroristë në Izrael dhe Palestinë. Subjekt i një seriali të suksesshëm në Netflix ai tregon fabulën reale të kësaj force elitë, që ka shpëtuar mijëra jetë njerëzish nga sulme terroriste, duke eleminuar kokat apo elementët që priteshin ti ekzekutonin ato. Dhe duket se nuk është kopjuar thjesht modeli. Qeveria shqiptare ka shkuar më larg se kaq.
Ajo ka pajtuar pikërisht ish krerët e kësaj force izraelite, të cilët prej muajsh janë në Shqipëri. Ata kanë bërë përzgjedhjen e elementëve më të mirë, policorë dhe ushtarakë dhe mesa duket tashmë janë gati të futen në operacion, njëkohësisht me fillimin e pritshëm të shpejtë të funksionimit të SPAK dhe BKH. Siç tregoi edhe ngjarja e atentatit ndaj Ndojës dhe dosja e madhe që ajo pritet të zbulojë, lidhjet mes drejtësisë së korruptuar, korrupsionit politik dhe “të fortëve”, janë thuajse gjenetike. Por ndërsa ndaj politikanëve dhe njerëzve të korruptuar të drejtësisë, është e lehtë të operosh, ndaj “të fortëve”, situata është më e komplikuar. Të armatosur dhe me para, ata prej 30 vjetësh kanë ngritur mitin e tyre, me bandat, aktivitetet, krimet makabre, guximin e verbër ndaj shkeljes së ligjit, pasuritë e mëdha dhe së fundi, përdorimin e të gjithë këtyre “aseteve” për të ndikuar në politike. Vulnerabiliteti i njohur i policëve ndaj tyre, që në vend që ti arrestojnë, shpesh preferojnë ti kenë “shokë”, si duket solli domosdoshmërinë e krijimit të “faudës” shqiptare. Megjithëse detajet nuk dihen, ngritja paralele e saj, me BKH dhe SPAK, duket se tregon se ajo do të gëzojë status special, ligjor dhe financiar si dy njësitë e reja të drejtësisë. Ajo do të jetë “krahu i armatosur” i saj, njerëzit elitë, që do të mbështesin prokurorët e gjykatësit specialë, që do të prangosin peshqit e mëdhenj dhe eleminojnë “të fortët”. Si duket së pari duke thyer mitin e forcës së tyre fizike e kriminale. /realstory.al/