Pak ditë para se të zhvillohet në Tepelenë aktiviteti i paralajmëruar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Ministria e Kulturës, është hapur sërish debati për ish kampin e Tepelenës. Letra që ish-kongresmeni amerikan Joe DioGuardi i ka dërguar kryebashkiakut Tërmet Peçi, ka në thelb kërkesën për të anuluar vendimin e Këshillit Bashkiak Tepelenë, për ta kthyer në një “Aushvic shqiptar” kampin e kohës së diktaturës në qytetin jugor.
A do ta anulojë Tërmet Peçi ndërtimin aty të një kompleksi muzeal të shfarosjes në masë të ish kampit famëkeq? A është kjo çështje vetëm në dorën e tij? Deri më tani s’ka asnjë reagim nga kryebashkiaku i Tepelenës. Ish-kongresmeni amerikan hedh idenë e mbajtjes së një referendumi, duke iu dhënë mundësi banorëve të Tepelenës të shprehen me votë.
Por referendumet lokale në Shqipëri janë një praktikë e paprovuar më parë. Natyrisht duhet parë edhe baza ligjore nëse diçka e tillë është apo jo e mundshme. Joe DioGuardi, ndërtimin e kompleksit muzeal të shfarosjes në masë në ish-kampin e Tepelenës, e quan “një njollë të pashlyeshme” për qytetin. Sidoqoftë ai është vetëm një zë në të gjithë këtë debat. Mbetet për t’u parë se si do të veprohet më tej. Në muajt e parë të këtij viti u debatua ashpër për kampin e Tepelenës dhe për nismën për ta shndërruar atë në një “Aushvic të Shqipërisë.” Tani debati është sërish i hapur dhe në një pozitë jo pak të lehtë është natyrisht kryebashkiaku Tërmet Peçi. Cili do të jetë qëndrimi i tij për këtë çështje? Të presim!
© ArgjiroLajm.net