Nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho e quan largimin e Nasip Naços nga kjo parti si një vendim personal, për interesat e tij private.
Ish-ministri i LSI-së, i është bashkuar Partisë Socialiste ndërsa largimin e tij nga LSI ai e njoftoi në krah të ministrit Blendi Klosi, ndërsa e cilësoi partinë në fjalë si një eksperiment politik.
“Mund të them që e shoh si një vendim personal, privat të Naços. Atij i janë besuar disa poste të rëndësishme. Në ato kohë besonte tek vlerat e LSI.”-u shpreh Xhixho.
E pyetur se çfarë mund të qëndrojë pas largimit të Nasip Naços, Erisa Xhixho tha se i takon atij vetë që të sqarojë se cilat ishin arsyet që e bënë që të largohej.
“Naço, që ka ardhur shumë më vonë se mua, ne i kemi besuar disa poste të rëndësishme. Ka qenë ministër i Drejtësisë, i Ekonomisë, dhe i kemi mundësuar që t’i shërbejë vendit.
Te tjera vendime, personale, mbeten në tagrin e tij për t’i sqaruar. Për mua, është e rëndësishme, që sot duhet treguar karakter..”-tha ajo.