Nga Mitro Çela
Rrugës për në Përmet nisëm një bisedë me Ezmerkën rreth dilemës:
Cili është simboli i Përmetit?
Kush shkon në Përmet për herë të parë thotë:
-Guri i Qytetit.
Normale. Përfytëroni një shkëmb 42 metra të lartë dhe me sipërfaqe 650 metra katror, që ka “hapur” themelet buzë Vjosës.
Kur e pa Edith Duram tha:” Një nga vendet më të bukura në botë!”
Të jetë shkëputur shkëmbi nga mali i Dhëmbelit? Ndoshta. Këtë thonë gjeologët.
Por legjenda flet ndryshe:
Gur perëndie!
Ka ardhur si dhuratë nga qielli, për ti dhënë edhe emrin qytetit.
Kush beson në legjenda, le të lexojë historinë.
Mesjetë. Kryezoti i krahinës Prendi, që i dha emrin qytetit, kishte ndërtuar mbi Gurin e Qytetit një kala.
(Sot kalaja është rrafshuar. Kanë mbetur muret, dëshmi e legjendës. )
Ishte fundi i shekullit të 14-të. Ushtria e Sulltan Mehmetit, pushtoi Janinën. Pas Janinës i erdhi radha Përmetit.
Prendi kishte vdekur. Kryezot i qytetit ishte nipi i tij, Gjergji.
Kishte një vajzë, Diestrën me foshnjë në gji.
Një natë turqit mbritën në qytet. Kryezoti ishte jashtë tij. Në kështjellë ishte vetëm vajza.
Turqit kërkuan çelsat e fortesës dhe dorëzimin e vajzës.
Diestra mori në dorë djepin me djalin, dhe u hodh nga maja e shkëmbit.
Në rrëzë të Gurit të Qytetit, gjendet një gur i lëmuar ku u përplas Diestra.
Mbi gur disa shënja: Dora e foshnjës ose vijat e djepit.
Këtë thotë legjenda.
Kush ka banuar në Përmet, mund të thotë:
-Qytet i Trëndafilave!
Normale. Baçevanët nga Përmeti, kanë qënë me famë në gjithë Ballkanin. Kanë kultivuar aqë shumë lloje e soje, sa që trëndafilat lulëzojnë në çdo stinë.
Por permetaret kanë edhe një “sekret”: Prodhojnë ujë trëndafili.
Me këtë ujë, lahen dhëndri me nusen ditën e dasmës!
Asnjë parfum nuk mund të krahësohet me ujin e trëndafilit!
Ujët e trëndafilit, përdoret edhe si “delikatesë” në glikotë me famë shumë që bëjnë nikoqiret e qytetit!
Për kureshtarët. Pronari i hotel “Alvero”, ka një relike: Pajisje për të prodhuar ujë trëndafili!
Është blerë në Stamboll dy shekuj më parë!
Tjetër mendim kanë historianët. Sipas tyre, Përmeti është simbol i familjes Frashëri.
Normale. Naimi, Samiu dhe Abdyli hodhën themelet e Rilindjes Kombëtare.
Nuk mund të gjesh shqiptar që të mos dijë të recitojë disa vargje nga poema: ”O malet e Shqipërisë…”
Samiu, autori i librit:” Shqipëria çfarë ka qënë, çështë dhe çfarë do të bëhet”, është babai i eciklopedisë turke, si Denis Diderot për eciklopedinë franceze.
Nga dera e Frashëllijve është edhe Rifat Frashëri- ish drejtor i Institutit Bakteologjik në Stamboll, një nga autorët që zbuloi vaksinën kundër tërbimit, në fillim të shekullit të 20-të.
Ka edhe pinjollë të tjerë në Panteonin e Shqipërisë: Publicisti dhe shkrimtari Mit’hat Frashëri- Lumo Skëndo; më i madhi ndër më të mëdhejtë aktorë të Teatrit Kombëtar: Naim Frashëri.
Historini Kristo Frashëri.
Ndryshe mendojnë politikanët. Përmeti, thonë ata është simbol i politikanëve të urtë.
Nga Përmeti ka qënë Turhan Pasha Përmeti, ambasador i Turqisë në Shën Petërburg, guvernator në Kretë, dy herë kryeministër në Shqipëri, pas Ismail Qemalit.
Një mal me baltë u mundua të hidhte Enver Hoxha mbi Sejfulla Malshovën. Profesor në universitetin “Lomonosov” të Moskës. Dishepull i Trockit dhe Buharinit. Armik i Stalinit. Ministër i Kulturës dhe Sekretari Përgjithshëm i Bankës së Shqipërisë në vitin 1946.
Idetë e Sejfulla Malshovës për reformat në ekonomi, përbëjnë bazën e socialdemokracisë shqiptare.
U internua në Fier në vitin 1947-të.
Deputet i Përmetit, Stavro Vinjau në qeverinë e Fan Nolit ( 1924) kishte dy portofole: ministër i arsimit dhe ministër i drejtësisë.
“Lapidar” idea e thënë nga Vinjau në parlament:
Taksat e përmetarëve të përdoren në Përmet.
E dini si hyri në politikë Ali Këlcyra? Beu ishte poliglot. Dinte Gjermanisht, Italisht, Ferngjisht, turqisht, greqisht etj.
Në vitin 1913 në Shqipëri erdhi mbreti Vid! Duhet të mbante fjalim edhe Mbretëresha Sofie.
Fjalimin ja përgatiti Ali Këlcyra. Ishte vetëm 22 vjeç.
Pas 10 vjetësh u bë deputet në parlamentin e Fan Nolit.
Artistët kanë shumë simbole për Përmetin. Në kulmin e skulpturës kombëtare, ka zënë vend Odise Paskali.
Kush mund të “matet” me publiçistin Nonda Bulka?
Nga Përmeti ishte Mentor Xhemali. Në Përmet jetoi “ustai” i madh i klarinetës Laver Bariu. Familja e muzikantëve me famë Qerimi e ka zanafillën në Përmet.
Pak janë ata që e dinë se Tefta Tashko, Tedi Papavrami dhe Anjeza Shahini, janë nga Përmeti.
Duke ndjellur kujtime, rruga duket më e shkurtër. Pa e ndjerë kishim mbritur në Grykë të Këlcyrës.
Tek Ujët e Ftohtë janë ngritur katër restorante. Nga këto, tre kanë edhe hotele. Kur hidheshin themelet e hotelit të tretë, disa menduan se do ta ketë jetën të shkurtër. Do i hajë konkurenca.
Por jo. Konkurenca nuk “solli drynin”, por shtoi investimet.
Bashkë me investimet u pasurua edhe menuja. Mishi i pjekur i kecit. Përshesh me thëllënxë. Peshk në tavë. Tavë shqeto. Lepur i egër. Delikatesë me mish sorkadheje. Gliko me arra. Turshi me lëndë të para bio. Raki dhe verë fshati…Djathë dhije…Të gjitha nën gurgullimën e ujit të burimeve që rrjedhin si ujëvarë dhe të valëve të Vjosës…Parajsë e shkuar parajsës, në këtë cep të Ilirishtes!
Themi të Ilirishtes, sepse po të marrësh “Shtegun e Pelës”, ngjite malit përpjetë dhe mbrin në fshatin Kala, ku gjenden rrënojat e një kalaje ilire…
Në Grykë të Këlcyrës na ndjek historia.
Në hyrje- Sarajet e bejlerëve të Këlcyrës. Me famë në Ballkan. I dogjën grekët në Luftën e Parë Botërore.
Gjyshi i Ali Pashë Tepelenës, komiti i njohur Muço Hysa, ndërtoi urën që i dha emrin e tij.
Në mbyllje të Grykës së Këlcyrës, është ura e Dragotit. Unikale në vend. E ndërtuar me hekur. Pa as një mbështetës.
Në qëndër është ngritur impianti i ujit “Trebeshina”. Në krah të tij është ndërtuar Manastiri i Shën Kollit me varret e ushtarëve grekë.
Në Përmet restorantet, baret, hotelet, kafenetë janë shtuar si “kërpudhat” pas shiut.
Mes restoranteve shkëlqen : “Familjari” dhe “Antigoneja”. Po pse? Sepse pronarët kanë kthyer sytë nga tradita.
Pse kjo metamorfozë? Vitet e fundit janë shtuar turistët nga Italia, Greqia, Gjermania, Japonia, Austria, Franca. Vinë për të parë tre kisha.
Në Kosinë kisha është ndërtuar në shekullin e 12-të. Në Leusë në shekullin e 17-të. Po kaqë e lashtë është edhe kisha në Badëlonjë.
Turistët shkojnë për të bërë kanote në Langaricë.
Bëjnë alpinizëm në Nemerçkë dhe bredhin e Hotovës, platacionin më të madh në Ballkan me bredh.
Turistët kërkojnë ushqim tradicional. Kërkesa e turistëve, nxiti guzhinierët të “rrëmojnë” në traditë.
Dhe menyja dolli shumë e pasur. Më të drejtë sot Përmeti mund të quhet “djepi” i guzhinës shqiptare.
Nga ta nisim investigimin? Ftuam për kafe Eli Janaqi…Në vend që të fliste hapi çantën. Nxori andej disa letra dhe nisi të tregoi:
– Kam ardhur e armatosur! Ja këtu kam shkruar recetat për disa gjëllë karakteristike përmetare…Pse do të thoni ju?…Kam dy vajza në Tiranë. Njera në punë. Tjetra studente. Gatuajnë në shtëpi. Ftojnë shoqet dhe i “gostitin” me gjellë përmetare…
-Lëpijnë gishtat,- më thonë vajzat. Bile shkojnë më tej: Duan të mësojnë recetat për të gatuar edhe në shtëpitë e tyre…Merreni listën. Dua tu flas për glikotë. Një drekë e mirë pa gliko, është si një vajzë e bukur pa stoli!
-Mbretëreshë ëshë glikoja e arrës…Sininë kur qirasin zonjat, e zbukurojnë glikotë e qershisë dhe karpusit ( shalqi). Por mos u largoni nga Përmeti pa provuar glikonë me fiq të egër a nerënxë? Kam disa vazo në shtëpi. Po ua dhuroj me gjithë zemër…
Po kush mund të na gatuaj? Na rekomanduan disa lokale.
Zgjodhëm “Hanin e Coles”…Morëm rrugën drejt Lixhave të Langaricës. Bëmë 5-6 kilometra rrugë dhe u kthyem majtas.
Pranë një burimi, rrëzë një rrapi shekullor është ngritur bujtina. Në katin e parë: Guzhina dhe restoranti. Dy kate për hotel…E zonja, e pasi përmëndi 10-15 gjëllë karakteristik, përgatiti disa prej tyre.