Ka përfunduar sot në Gjirokastër dëgjesa me 6 kandidatët për të drejtuar Partinë Socialiste në këtë qytet. Gjithcka ka shkuar mirë pas parashikimeve të bëra më herët nga organizatorët.
Secili nga kandidatët ka dhënë arsyet e veta përmes një platforme përse meriton të përzgjidhet nga Komisioni i Posacëm dhe më pas Kryesia e PS. Komisioni i Posacëm kryesohej nga Mirela Kumbaro, drejtuesja politike e qarkut Gjirokastër, ndërsa ishin të pranishëm gjithashtu Blendi Klosi, Anila Denaj dhe Etjen Xhafaj. Në këtë proces nuk ka votim sipas parimit një anëtar një votë.
Për Gjirokastrën si bashkia më e madhe qendër qarku kandidojnë 6 persona: Magdalena Margariti, Irida Hoxha, Mihare Lapaj, Ilir Metaj, Ibrahim Kuka dhe kryetari aktual Gentian Llogo. Në përfundim ka pasur edhe një foto familjare mes tyre. Në dukje ka buzëqeshje, mes tyre edhe të sforcuara, ndërsa së brendshmi me siguri që ekzistojnë të gjitha simptomat e luftës për pushtet brenda llojit.
Gjasat janë që edhe Gjirokastra të shkojë me bashkëkryetarë. 4 prej kandidatëve në fund të këtij procesi do të mjaftohen me atë që thuhet në kësi rastesh: Rëndësi ka pjesëmarrja jo se kush fiton. ©argjiroja.net