Leo Messi dëshiron të largohet nga Barcelona pas 16 sezoneve në ekipin e pare, me të cilin ka fituar gjithçka. Lojtari ka dërguar një faks në klub, duke shprehur dëshirën e tij për të ekzekutuar klauzolën e parashikuar në kontratën aktuale, sipas së cilës argjentinasi pretendon se mund të largohet në mënyrë të njëanshme nga klubi në fund të çdo sezoni. Në parim, ajo klauzolë mbaroi para 10 qershorit, por atipika e këtij “ushtrimi” për shkak të koronavirusit hap rrugën për të kërkuar të zbatohet edhe tani. Ky konsiderohet si hapi i parë në negociatat për largim, teksa klauzola e tij është 700 milionë euro.
Leo do të mbështetet në faktin se fryma e ligjit tregon se ai mund ta përdorë atë klauzolë lirimi, sepse flitet për në fund të çdo sezoni. Nëse u caktua 10 qershori, parashihej një sezon normal, jo si ky i fundit, që u shty në kohë prej pandemisë. Kjo klauzolë kishte një afat kohor, që lojtari ta komunikonte dëshirën për largim 20 ditë para se të mbaronte kontrata. Por, ky sezon ka qenë shumë i pazakontë dhe përfundoi në mes të gushtit. Ka dokumente të nënshkruara nga Barcelona dhe FIFA, që shprehen në këtë kuptim, se sezoni përfundon kur të luhet ndeshja e fundit.
Klubi, nga ana e tij, e kupton që afati i klauzolës skadoi më 10 qershor, por mbetet kontrata e vlefshme. Kjo është përgjigjja për argjentinasin, bashkë me dëshirën që ai të qëndrojë te Barcelona. Pozicione krejt të kundërta, edhe sot do të vazhdojë “tërmeti” në Katalonjë, sepse po flasim për asgjë më pak se largimi i lojtarit më të mirë në historinë e Barçës. Reagimet ishin të shpejta. Bartomeu u takua me disa prej anëtarëve të bordit për të parë se çfarë pozicioni të merrte në dritën e dëshirës së Messit për t’u larguar nga klubi.
Ndërsa takimi po zhvillohej, disa tifozë u mblodhën përpara zyrave dhe kërkuan dorëheqjen e Bartomeu. Policia i shpërndau ato disa orë më vonë për arsye shëndetësore, ndërsa reagimet në rrjetet sociale pasuan njëra-tjetrën. Luis Suárez duartrokiti vendimin e mikut të tij në rrjetet sociale. Puyol, gjithashtu, i dha mbështetjen e tij të plotë. Të gjithë janë shumë kritikë ndaj presidentit dhe kërkojnë dorëheqjen e tij. Largimi i Leos do ta fundoste edhe më klubin. Në nivelin sportiv do të ishte humbje e madhe, ndërsa në atë të imazhit të Barcelonës, një katastrofë.
Ku do të luajë Leo Messi tani?
Turpërimi 8-2 ndaj Bayern Munich nuk mund të kalojë pa u vënë re për Messin, që po bën vlerësimet e tij. Lamtumira e menjëhershme është një hipotezë. Por, le të shohim cilat janë destinacionet e pranueshme për vazhdimin e karrierës së argjentinasit, i cili, pas bukurisë së 20 viteve në “Camp Nou”, mund ta përshëndesë klubin që e priti si fëmijë në vitin 2000.
MANCHESTER CITY
Messi dhe “qytetarët” sapo kanë ndarë të njëjtin fat në Ligën e Kampionëve, me eliminimin në çerekfinale. Kjo do të thotë se të punojë përsëri me Pep Guardiolën, përbën një stimul të madh për argjentinasin, i cili me trajnerin spanjoll dha më të mirën sa i përket shënimit dhe kthesës taktike. Për këtë arsye, ribashkimi mes të dyve nuk është aspak e përjashtuar si mundësi. Madje, për momentin, “Blues” shfaqen në “pole position”.
PSG
Thashethemet e pakontrolluara të këtyre orëve vendosin edhe emrin e PSG pranë atij të Messit. Parizienët nuk do të ishin të rinj për “hitet” e jashtëzakonshme në merkato dhe Messi, i lidhur fort me Neymar dhe Di Maria nga një miqësi e fortë, mund të ishte i dyti në seri, pas “tërmetit” 222 milionë eurosh të brazilianit më 2017.
INTERI
Zikaltrit në gjurmët e Messit, gjë për të cilën flitet prej disa kohësh. Një zhurmë e nxitur nga blerja e një shtëpie në Milano prej lojtarit dhe babait të tij, Jorge, vetëm disa hapa larg nga selia e Interit. Për më tepër, ulja e taksave për ata që vijnë nga jashtë mund të rezultojë vendimtare në zgjedhjen e gjashtë herë fituesit të “Topit të Artë”, i cili në Spanjë shpesh është dashur të merret me tekat e autoriteteve tatimore. Pa harruar raportet e mira me Javier Zanetti, marrëdhëniet e ngushta me të.
MANCHESTER UNITED
Në klubet me mundësi financiare, për t’ia paguar pagën e majme yllit argjentinas, përfshihet edhe Manchester United. “Djajtë e Kuq”, në kuadrin e riorganizimit dhe ambicieve për t’u kthyer përsëri në majë, mund të bëjnë një sforco financiare për futbollistin ë të mirë në glob. Do të ishte një vlerë e madhe e shtuar sportive në “Old Trafford”, por edhe financiare, nëse kemi parasysh marektingun që mund të bëhet me një emër të tillë.
INTER MIAMI
Klubi i David Beckham tashmë ka blerë Blaise Matuidi, por nuk duket se dëshiron të ndalet në fushatën përforcuese. Sidoqoftë, është e qartë se shkuarja e Messit në MLS në moshën 33-vjeçare është thuajse e pamundur. Ai ka shumë për të dhënë në futbollin europian, të paktën për momentin.
NEWELL’S OLD BOYS
Ky është opsioni më romantik nga të gjithë, rikthimi i Messit në skuadrën që e lançoi në atdheun e tij, ku luajti nga viti 1995 deri më 2000. Kuqezinjtë e Rosarios e dinë mirë që të bindësh djalin plangprishës për t’u rikthyer do të jetë praktikisht e pamundur.
BARCELONA
Pavarësisht se situata e momentit është tejet e nderë, duhet të merret në konsideratë mundësia e qëndrimit të tij te Barcelona. Me klubin katalanas, Messi është i lidhur me një kontratë të vlefshme deri në vitin 2021. Ai do të dëshironte ta përfundonte këtu kontratën, por klauzola e lirimit ka skaduar. Megjithëse ndarja duket e plotë, hipoteza e qëndrimit nuk është zhdukur ende plotësisht, veçanërisht nëse presidenti Bartomeu do të largohej nga klubi.
Në garë edhe Juventusi
Dje, “bomba” që kishte të bënte me Leo Messin shpërtheu plotësisht. Ylli argjentinas ia bëri të ditur Barcelonës se dëshironte të largohej nga ekipi, duke përdorur klauzolën në kontratën e tij. Pra, të largohet pa asnjë kosto. Pati një trazirë, natyrisht, sepse po flasim për një nga futbollistët më të mirë në histori (për shumë madje, edhe më i miri ndonjëherë), që ka luajtur gjithmonë me fanellën Blaugrana, që nga viti 2000. Pra, ka kaluar 20 vite me ekipin e parë katalanas.
Shumë tifozë që do të përpiqen të rrëmbejnë “po” e Leo Messit. Ka pasur zëra se mund të kalojë tek Interi, prej disa kohëve, edhe nëse dje arritën disa mohime të thata. Manchester City duket se kryeson listën në këtë moment, ku 33-vjeçari do të gjente Pep Guardiolën. Por, sipas “Corriere della Sera”, as Juventusi nuk mund të përjashtohet si kandidat. Duket se “Adidas”, në fakt, do ta shtynte “Pleshtin” drejt Torinos. Aty mund të bëhet bashkë me rivalin e vet më të madh, Cristiano Ronaldo. Messi dhe “Zonja e Vjetër” ndajnë sponsor të njëjtë, çka shihet si favor për një eventualitet të tillë.
Ne jemi vetëm në një fazë embrionale, por Juventusi mbetet në dritare, duke pritur zhvillimet e mundshme. Angazhimi i mundshëm pa asnjë kosto i intrigon shumë bardhezinjtë, edhe pse duhet t’i japin një pagë maksimale argjentinasit. Blerja e Cristiano Ronaldo, megjithatë, bëri histori dhe tani fjala “e pamundur” nuk është pjesë e fjalorit të Juventusit.