Një reagim i Roland Bejkos pas përfundimit të numërimit të votave në Gjirokastër zbulon më shumë nga ajo që dihej e përflitej prej kohësh brenda radhëve të demokratëve; përplasjen e tij me Tritan Shehun e Dasho Alikon. Bejko thotë se reagimi i tij vjen për shkak se nuk pati një falenderim nga Tritan Shehu për Lazaratin, bastionin e votave për Partinë Demokratike. Ndonëse nuk e përmend me emër, Bejko akuzon Shehun se ka bërë anti-fushatë ndaj tij në këto zgjedhje. Ja çfarë shkruan kandidati i renditur i dyti në listën e demokratëve.
“E dija siç e dinit edhe ju që brenda nesh pati anti fushatë ndaj meje. Shumë prej jush u vutë në siklet në fillim dhe gjatë fushatës, sepse zemra ua donte të punonit me mua dhe për emrin tim, por nga ana tjetër kodoshët e partisë u bënin presion me ironi e me fraza dykuptimëshe apo dhe në italisht, që të mendonit pak më shumë për pozicionin tuaj nesër në pushtet…Kjo antifushatë u fut thellë në Lazarat, veçanërisht. Donin të dilja i pa votuar aty. Të më turpëronin! Por pikërisht aty, morën përgjigjen e merituar”, shprehet Bejko duke shkuar edhe më tej teksa shprehet se pa votat e Lazaratit, edhe mandati i Tritan Shehut do të ishte i pasigurt.
“Të gjithë duhet ta dimë se pa Lazaratin dhe rininë e tij, mbi 100 qendra votimi në qark, do të ishin pa komisionerë e pa vëzhgues”, shkruan më tej Bejko, ku dashur pa dashur zbulon edhe dramën tjetër të Partisë Demokratike, e cila zor se gjen komisionerë e vëzhgues, jo më të shtojë radhët e veta me mbështetës që mund ta votojnë e sjellin në pushtet. Sidoqoftë kjo është çështje tjetër. Pyetja që shtrohet është përse kjo “luftë” mes Roland Bejkos e Tritan Shehut? Asgjë e pazakontë dhe asgjë që nuk dihej. Të dy nuk e honepsin dot njëri-tjetrin sepse secili kërkon të jetë “violina e parë” e PD-së në Gjirokastër, për të patur më pas aksesin në qendër. Tritan Shehu e ka parë Roland Bejkon si problem për shkak të influencës së tij të konsiderueshme në Lazarat e pak më gjerë, gjë që u dëshmua dhe nga mbi 2 mijë vota nominale që mori në këto zgjedhje. Për të sfumuar rolin dhe peshën e tij, Shehu konsolidoi aleancën me Dasho Alikon, i cili është ushqyer vazhdimisht me lugën e zbrazët të iluzionit se PD-ja do të vijë në pushtet dhe ai vetë do të jetë “Pashai” që do të kontrollojë gjithçka.
Si partiak dhe aparatçi i vjetër, por edhe nën petkun e profesorit, Tritan Shehu e ka “yshtur” Dasho Alikon me këtë iluzion dhe në shumë raste e ka hedhur kundër Bejkos. Edhe pse janë me lidhje farefisnie me njëri-tjetrin, Bejko e Aliko s’kanë komunikim prej kohësh. Nga ana tjetër as Roland Bejko nuk e duron dot Tritan Shehun. E ka parë vazhdimisht si pengesë për ambicjen e tij politike në Gjirokastër, për të drejtuar politikisht qarkun dhe për të marrë mandatin e deputetit. Raportet e acaruara u bënë më të dukshme kur Shehu mori rikonfirmimin nga Basha për të qenë sërish drejtuesi politik i qarkut Gjirokastër. Bejko shprehu habinë për këtë vendim të Bashës, i cili binte edhe ndesh me verdiktin e komisionit “Ruli-Nishani”, që e skualifikoi Tritan Shehun. Gjatë fushatës gjen vetëm dy dalje të përbashkëta publike mes Roland Bejkos e Tritan Shehut. Ishte prezantimi i kandidatëve për deputetë, ku qëndronin nga halli sa për efekt kamerash. Dhe tjetra ishte iftari i shtruar me disa besimtarë myslimanë. Nëse shikon fotot, ngjanin sikur ishin në vaki. Më pas secili ka punuar për hesapin e vet politik.
Ndonëse Bejko shprehet se punoi vetëm për numrin 9, duke pasur bindjen se PD do t’i merrte dy mandate, e vërteta është disi ndryshe. Ai u investua për fushatë personale dhe shpresoi deri në fund se mund të merrte vota mjaftueshëm sa për të thyer herësin. Dhe shumë mirë që u investua për vota personale. Madje përballë Tritan Shehut, nuk kishte kuptim ndrojtja për të kërkuar vota në emër të tij dhe për të dalë hapur me thirrje për të votuar numrin 2 në listën e PD-së. Për të ilustruar dasinë e madhe mes tij dhe Tritan Shehut, ka edhe një element tjetër. Kur nisi numërimi i votave në pallatin e sportit në Gjirokastër, PD ishte e ndarë në dy kampe. Nga njëra anë qëndronte Tritan Shehu me Dasho Alikon nga ana tjetër ishte Roland Bejko me mbështetësit e vet, ndryshe nga PS-ja e LSI-ja ku skuadrat e kandidatëve ishin kompakte.
Disa ditë pas numërimit, Roland Bejko shkoi edhe më tej duke i kërkuar Tritan Shehut të hiqte dorë nga mandati i deputetit në Gjirokastër. “Po të isha në vend të tij, nuk do ta pranoja mandatin”, tha Bejko gjatë një interviste televizive, duke iu rikthyer edhe njëherë hyrjes “klandestine” të Shehut në listat e PD-së, përmes shkeljes së vendimit të komisionit “Ruli-Nishani” dhe pa patur mbështetje reale nga baza e partisë në Gjirokastër. Nga kjo përplasje e shtrirë në kohë, humbësja e madhe është Partia Demokratike, e cila në Gjirokastër thjesht iu ka ngelur në dorë disa personazheve qesharakë e banalë në shumë raste, që kurrsesi nuk e udhëheqin dot drejt ringritjes. Krekosjet e Tritan Shehut se kanë fituar 400 vota më shumë se 2017 janë për të qeshur e për të qarë. Prova më e afërt e PD-së në Gjirokastër janë zgjedhjet lokale, që me gjasë do të ribëhen në pranverë të vitit të ardhshëm. Me Tritanin, Dashorat e Beqorat që janë nëpër këmbë, s’kanë asnjë mundësi reale për të fituar. PD duhet rithemeluar dhe duhet hapur ndaj shoqërisë. Nëse nuk e bëjnë dot, është e destinuar të shkrihet. ©argjiroja.net