Sa më shumë që po shkojmë drejt dy kuvendeve të PD-së, aq më shumë nxehet debati dhe replikat në distancë me akuza dhe kundërakuza mes Sali Berishës dhe Lulzim Bashës. Por çfarë do të ndodhë në dy kuvendet e PD-së dhe si do të dalë nga kjo “luftë” partia më e madhe në opozitë? Ish-drejtuesi i PD-së Gjirokastër dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Roland Bejko i ftuar mbrëmjen e sotme në “Radarin Informativ” u shpreh se me lëvizjen dhe retorikën asgjësuese, Sali Berisha po bën një grusht shteti. Në fund të kësaj përplasje të fortë brenda selisë blu, Bejko në krye të PD-së shikon pa asnjë dyshim Lulzim Bashën.
Por si është e vërteta e firmave të delegatëve? Në këtë pikë, Roland Bejko implikon edhe Presidentin. “Një pjesë kanë firmosur se nuk e duan Bashën, një pjesë se ka vajtur shoku, miku, deputeti, kryetari i partisë, i kanë lodhur dhe bezdisur njerëz nga Tirana me telefona, deri edhe njerëz pranë presidentit, këshilltar të Presidentit me origjinë andej janë angazhuar. Duke u kujtuar nderet për të hedhur firmën. Por ama do të shfryhet shpejt”, shprehet Bejko. Edhe pse nuk e përmend nominalisht me emër, duket se aludohet pikërisht për Ylli Asllanin, i cili mban postin e këshilltarit për pushtetin vendor i Presidentit të Republikës. Asllani është ish-kryetar i Bashkisë Gjirokastër dhe me njohje të vjetra në radhët e strukturave të PD-së.
Bejko parashikon edhe një tjetër lëvizje të amerikanëve. “Janë amerikanët që e nisën, deri në 11 do të bëjnë ndërhyrje tjetër dhe nëse nuk do të bëjnë, nuk mund të lejojnë qëllimin e Berishës, që të destabilizojë Shqipërinë, të destabilizojë rajonin dhe kjo do ta penalizojë më shumë se kurrë Berishën” deklaroi ai.