Kryeministri i Rumanisë, Florin Citu tha në një deklaratë mëngjesin e së mërkurës se kishte shkarkuar nga puna ministrin e Shëndetësisë Vlad Voiculescu për shkak se nuk e ka menaxhuar si duhet situatën e pandemisë.
Vendimi i Kryeministrit erdhi menjëherë pasi ministria e Shëndetësisë publikoi në Fletoren Zyrtare një dekret që lehtëson kriteret për zbatimin e karantinës në zonat ku shkalla e infeksionit me koronavirus është e lartë. Sipas mediave lokale, kryeministri nuk ishte në dijeni të një dekreti të tillë dhe nuk e miratoi atë.
Zv/kryeministri Dan Barna është emëruar ministër i përkohshëm i shëndetësisë.
Rumania është një ndër vendet më të prekura nga Covid. Vendi ka regjistruar 1,016,449 raste dhe 25,605 viktima që nga fillimi i pandemisë.