Në dalje të Republikës së Shqipërisë në Kakavijë, pas verifikimeve të të dhënave në Sistemin TIMS, shërbimet e Policisë Kufitare kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë automjetin tip “alfa romeo” që drejtohej nga shtetasi V. K., si dhe udhëtonin si pasagjerë shtetasit L. L. dhe K. K. (të tre shtetas gjerman). Nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e policisë kufitare, në bagazhin e automjetit, në vendin e gomës rezervë u gjetën 30 doza me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva.
Po keshtu nga kontrolli i ushtruar në vijën dytë i automjetit tip “Renault” me drejtues shtetasin H. D. dhe pasagjere shtetasen M. C., (shtetas francez), u gjetën 33 doza me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sattiva. Në përfundim të veprimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër u proceduan penalisht shtetasit V. K., 19 vjeç; L. L., 18 vjeç; K. K., 19 vjeç, banues në Gjermani; H. D., 32 vjeç dhe M. C., 40 vjeçe, banues në Francë.
Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike” dhe “Prodhim dhe Shitje e lëndëve narkotike”.