Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në qarkun Gjirokastër, Kjara Adhami, vijon takimet elektorale në Përmet. Gjatë një ndalese në fshatin Buhal, prej nga është edhe origjina e familjes së saj, Adhami është rikthyer në banesën e të parëve, si dhe është ndalur në një shtëpi të shndërruar në bujtinë, ku sic shihet nga fotot që ka postuar në faqen e saj në Facebook, bën gëzuar me raki dhe konsumojnë glikotë, produkt tipik i zonës së Përmetit.
“Në Buhal kam shkuar që e vogël e vazhdoj të kem po të njëjtën dëshirë sa herë rikthehem, jo vetëm sepse është fshati im i origjinës e ku sot e kësaj dite është ende shtëpia e madhe e Adhamëve, por Buhali sot është një hapësirë fantastike për turizëm. Iniciativat e para kanë nisur me shndërrimin e shtëpive në bujtina që ofrojnë akomodim dhe produkte tipike të zonës. Fshati ka gjithashtu edhe monumente me vlera të rralla si Kisha e Shëndëllisë apo ura e vjetër që është një atraksion më vete. Nga viti në viti numri i turistëve të huaj është rritur ndjeshëm. Çdo vizitë në Përmet nuk mund të quhet e plotësuar pa u ndalur më parë edhe në Buhal”, shkruan Adhami.