Deputeti i PS-së në Gjirokastër, Flamur Golemi, ka dhënë një intervistë për gazetën ‘Sot’. Ndër të tjera ai ka folur edhe për zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, si dhe ndryshimet e mundshme në kabinetin qeveritar ‘Rama 2’. I pyetur nëse PS duhet të hyjë e vetme apo me aleancë në këto zgjedhje, Golemi ka këtë përgjigje.
“Sa më takon mua, mendoj se ne kemi aleancën më të madhe. Aleancën me qytetarët shqiptarë. Jo më kot i fituam bindshëm zgjedhjet parlamentare në qershorin 2017. Megjithatë, sa i përket koalicioneve dhe kandidatëve është një çështje e parakohshme dhe janë forumet drejtuese të Partisë Socialiste që do të vendosin”
Sa i përket emrave të kandidatëve për 61 bashkitë e vendit, deputeti i Gjirokastrës, shprehet se nuk është në dijeni të atij procesi.
“Nuk e di. Unë s’jam pjesë e atij procesi dhe s’më takon të flas. Por besoj se Partia Socialiste është gjithmonë një hap para çdo subjekti tjetër politik, ndaj jemi forca më progresiste dhe që shqiptarët e kanë zgjedhur si forcë të parë”, thotë Golemi.
Lidhur me çështjen e ndryshimeve në qeveri ai rezervohet të bëjë komente dhe thekson se lëvizjet janë ekskluzivitet i kryeministrit Edi Rama.
© ArgjiroLajm.net