Futbolli është ndaluar në mbarë globin prej koronavirusit, dhe ligat më të rëndësishme të planetit janë pezulluar. Por Bundesliga, ka dhënë shenja se do të rikthehet, me planet për të rinisur në Maj, në stadiume pa tifozë. Gjermania ka rezultatet më të mira deri tani në luftën ndaj covid 19, me testimet e mëdha dhe të hershme. Liga e futbollit gjerman, është e vendosur që ta përfundojë sezonin e ndërperë, bën të ditur BBC.
Drejtuesit e 36 klubeve profesioniste në vend, do të takohen të mërkuren për të marrë vendimin, për të rifilluar ndeshjet muajin që vjen, për të mbyllur kështu edhe sezonin. Por sfidat nuk janë të vogla.
Ndërkohë, qeveria gjermane ka thënë se eventet me turma të mëdha njerëzish, do të jenë të ndaluara deri në Gusht. E vetmja mënyrë ngelet për t’i zhvilluar ndeshjet pa spektatorë. Do të jenë prezentë vetëm lojtarët dhe stafi teknik, si dhe ekipet e medias që do të transmetojnë duelet. Po ashtu edhe stafi i sistemit VAR.
Të gjithë këta, mendohet se nuk janë më pak se 300 vetë. Ky numër është në diskutim, pasi disa shtete, nuk e lejojnë një grumbullim të tillë. Me 30 prill pritet të merret vendimi. Gjithsesi, fjalën e fundit e ka qeveria. Por specialistët mendojnë se ndeshjet nuk mund të nisin më herët se 16 maji. Sipas ekspertëve, duhen teste të rregullta të lojtarëve dhe stafeve, çka do të thotë se për gjithë bundesligën, lypsen të paktën 20 mijë teste deri në përfundim të sezonit.
Ndërkohë, disa ekipe i janë kthyer stërvitjes në fushë, por gjithsesi duke ruajtur distancat fizike mes lojtarëve.