Familjarët e Aleksander Sadikajt, i cili u vra para pak ditësh me bombë me telekomandë në Tiranë, vazhdojnë të këmbëngulin se 27-vjeçari nuk kishte konflikt me askënd dhe bënte një jetë familjare.
Vanesa Sadikaj, motra e Aleksander Sadikaj, në një intervistë për Fax News, ka folur mbi dyshimet që janë ngritur lidhur me përfshirjen e Sadikajt në veprimtari kriminale gjë që mund të kishte sjellë edhe atentatin ndaj tij. Sa i përket jelekut anti-plumb dhe dylbive të gjetura në shtëpinë e të ndjerit 27-vjeçar, e motra thotë se anti-plumbi i ishte bërë dhuratë nga shoku i tij në Greqi, ndërsa dylbitë ishin për shitje në faqen online që kishte në “instagram”.
Ajo tregon se vëllai i saj jetonte prej 4 vitesh në një shtëpi me qira, teksa mohon që vëllai i saj të ketë shkuar ndonjëherë në Holandë.
Vanesa Sadikaj: Vëllai im nuk kishte konflikte me asnjë njeri, ishte i lirë, bënte jetë familjare me ne. Lëvizte në këmbë, i pëlqente të bënte xhiro me bicikletë. Rrinte gjithë ditën në lokalin familjar që kemi në Tiranë. Ne kemi bërë një jetë të qetë, mediat po shkruajnë shumë gjëra të pavërteta.
Ai jetonte në një shtëpi me qera prej 4 vitesh, nuk e kishte ndërruar kurrë, bashkëjeonte me një vajzë. Unë shkoja pothuajse çdo natë atje, më merrte e makinën e tij bashkë me vajzën time të vogël. Me atë makinë që ndodhi ngjarja, shkonim në shtëpinë e tij.
Pyetje: Është gjetur një anti-plumb në banesën e vëllait tuaj, ju e dinit?
Vanesa Sadikaj: Po e dija, është një dhuratë që ia ka bërë një shok nga Greqia dhe nuk është përdorur asnjëherë dhe kjo gjë mund të vërtetohet edhe nga ekspertiza.
Pyetje: Po në lidhje me dylbitë?
Vanesa Sadikaj: Ne kemi një faqe online ku shesim aksesorë për kafshët, ata dylbi janë në shitje tek faqja, nuk e di nëse përdoren për të parë zogjtë por aty i shisnim.
Pyetje: Një tjetër dyshim është se vëllai juaj ishte i përfshirë në një grup kriminal në Hollandë…
Vanesa Sadikaj: Nuk ka lidhje fare, vëllai im nuk njeh njeri atje, nuk ka shkuar kurrë në Hollandë.
Pyetje: Po sa i përket dhënies së lekëve me fajde, sa e vërtetë është?
Vanesa Sadikaj: Kjo është e vërtetë, por kanë qenë shuma të vogla të dhëna tek shokët dhe miqtë e afërt dhe që nuk kanë lidhje me këtë gjë sepse askush nuk do e bënte një atentat të tillë për shuma të vogla.
Ai ka qenë shumë i lumtur kohët e fundit, kemi qenë shumë të lumtur bashkë, duke kaluar momente të bukura, pa pasur asnjë lloj shqetësimi sepse ai çdo gjë e ndante me mua./ Fax News