Ndërron jetë gjeniu shqiptar i matematikës, Fatmir Rrokaj. I riu nga fshati Varibop i Mallakastrës, ishte i aftë që të kryente veprime matematikore deri në 20 shifra por ndërroi jetë si endacak. Me vetëm 7 klasë shkollë, ai spikati që i vogël për dhuntitë e veçanta por ishin sërish ato “mallkimi” i tij. Sipas kryetarit të komunës së asokohe Kujtim Sherifit, njerëzit ishin të mrekulluar nga aftësitë e tij dhe i kërkonin shpesh që të kryente veprime matematikore, dhe nëse ai kundërshtonte, ndaj tij ushtronin dhunë.
“Jam një nga ish-kuadrot që kam drejtuar ekonominë e asaj kohe. E merrnin atëherë dhe bënin llogaritë e fundit të 15-ditëshit. Me Fatmirin, punën që po bënin për 15 ditë, ai e bënte për 2-3 ditë. Atëherë skishte makina llogaritëse. Fatmiri është shfrytëzuar edhe për këtë punë, por më vonë ka pasur probleme. Atëherë s’kishte makina llogaritëse. Nëse nuk donte që të bënte veprime matematikore, e rrihnin.”
Me vetëm 7 klasë shkollë, Fatmiri u filmua disa vite më parë në fshatin e tij duke bërë me mendje veprime matematikore ashtu si një makinë llogaritëse por u harrua për t’u kujtuar vetëm ditën e vdekjes. Deri më tani kjo është e vetmja video që ka mbetur prej tij.