Për të mbledhur 1 milion dollarë, mesatarisht një shqiptari do t’i duhet që të punojë 2 shekuj e 19 vite e 11 muaj. Sipas të dhënave të marra nga databaza statistikore e UNECE (organizatë e Kombeve të Bashkuara), paga mesatare në Shqipëri përllogaritet rreth 4,548 dollarë në vit. Me këto nivele, më shumë se dyqind vjet (pa marrë në konsideratë inflacionin) do t’i duheshin një shqiptari për të pasur milionin e parë, duke u renditur kështu të fundit ndër vendet e marra në shqyrtim, shkruan revista Monitor.
Në pesë vendet e para, ku 1 milion dollarë bëhen më shpejt dhe më lehtë, katër janë vendet europiane si Zvicra, Luksemburgu, Danimarka, Norvegjia, ndërsa në vendin e pestë renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vendet e Europës Juglindore, postkomuniste, kërkojnë më shumë, madje shekuj, që një individ me të ardhura mesatare të bëjë një milion dollarë. Në Bullgari duhet plot 1 shekull e 32 vite, në Bjellorusi thuajse 2 shekuj, ndërsa në Armeni dy shekuj e 15 vite, apo rreth 4 vjet më shpejt se ne.