Aksidenti tragjik i një dite më parë në Qafën e Muzinës, më i rëndi i ndodhur në këtë zonë përgjatë 25 viteve të fundit, nuk do të jetë i lehtë për t’u zbardhur nga grupi hetimor. Edhe pse sot i është komunikuar arrestimi në spital 22-vjeçares, Rexhina Çelhaka, si shkaktare e dyshuar e aksidentit që i mori jetën 5 personave, ka një element që ndoshta s’ka për t’u mësuar kurrë. Në dëshminë e saj të parë përpara grupit hetimor, vajza që drejtonte makinën “Land Rover”, ka thënë se furgoni po lëvizte në krahun e kundërt teksa mori kthesën gjerë. Dhe po kështu ajo pretendon se përpara saj ishte një mjet i tretë.
Ky element, pra nëse aksidenti është shkaktuar edhe nga manovrat e gabuara të një mjeti të tretë në rrugë, që më pas është larguar nga vendngjarja, ndoshta nuk ka për t’u mësuar kurrë. Kjo sepse kemi të bëjmë me një rrugë ku mungojnë kamerat e sigurisë që mund të kishin fiksuar diçka nga ngjarja. Ndoshta nga hutimi dhe tronditja e madhe prej aksidentit, as ndonjë makinë tjetër që lëvizte në atë rrugë s’ka fiksuar mjetin e tretë që mund të jetë larguar me shpejtësi pas momentit fatal. Kjo është thellësisht e vështirë për t’u zbardhur nga grupi hetimor.
Sikundër as nuk përjashtohet mundësia që pretendimi për ekzistencën e një makine të tretë të përfshirë në aksident, të jetë ndoshta një alibi e ngritur nga 22-vjeçarja për të lehtësuar pozitën e saj në gjykatë. Pavarësisht se sot i është komunikuar arrestimi, Rexhina Çelhaga, do të kalojë në një proces të gjatë për zbardhjen e rolit të saj në aksidentin fatal që mori pesë jetë njerëzish. Edhe vajzat italiane që udhëtonin me të në fuoristradë, kanë thënë se furgoni i drejtuar nga Bardhi Proda ishte në krahun e kundërt të rrugës. E vetmja e mbijetuar e furgonit është Greta Kaperdini nga Fieri, që udhëtonte për pushime drejt Sarandës. Mes 5 viktimave ishin edhe një çift turistësh nga Ukraina. ©argjiroja.net