Konfirmohet se Kryetari i Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku ka qenë i dënuar në Greqi me emrin Jorgo Toto. Faktet i bëri sot publike, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, referuar informacionit të mbërritur nga prokuroria.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi citoi shkresën e prokurorisë:
“Nga informacioni i zyrës së Interpol Greqi rezulton se nga krahasimi daktiloskopik i gjurmëve të gishtave të shtetasit Agim Kajmaku me gjurmet daktiloskopike që ndodhen në bazën e të dhenave kriminale të Greqise, rezulton se këto gjurme perputhen me gjurmet e gishtave të shtetasit Jorgo Toto.
Nga verifikimet e kryera konfirmohet se Agim Kajmaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin se ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor në zhvillim. Kjo sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke, ku i është berë e ditur e gjithë procedura që do të ndiqet ndaj tij. Nga ana tjetër, rezulton se Agim Kajmaku ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare, duke ndryshuar në datën 30 Mars 2004 emër/mbiemër nga “Jorgo Toto” në Agim Kajmaku, si dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e dekriminalizimit”.
Pasi bëri të ditura të dhënat më të fundit, të prokurorisë, Gazment Bardhi pati një mesazh për Kryeministrin.
“Çdo alibi e krijuar nga Edi Rama dhe përfaqësuesi i tij në Bashkinë e Vorës, është rrëzuar. PD e ka te qarte se Edi Rama nuk ka vullnet për ta luftuar krimin dhe se pushtetin e tij e ka te lidhur me krimin. Mirëpo shkarkimi i menjëhershëm nga detyra i Agim Kajmakut, nuk është me një çështje e vullnetit në dorë të Edi Ramës. Edi Rama ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të shkarkojë menjëherë nga detyra kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i cili është arrestuar dhe ka qenë në kërkim ndërkombëtar deri në shtator 2019”, u shpreh ai.
Agim Kajmaku u detyrua të depozitojë në prokurori gjurmët e gishtërinjve, pasi PD denoncoi të shkuarën e tij kriminale.
Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto ka deklarur se ka jetuar për 5 vite në Greqi. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro nga periudha 2004 – 2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë.Të dhënat tregojnë se ai është dënuar nga Gjykata e Janinës në vitin 2003 për veprën penale “për përdorim dhe shpërndarje kartëmonedhash të falsfikuara”.
Por në muajin shtator, Agim Kajmaku pati deklaruar për mediat se nuk është dënuar dhe as është dëbuar ndonjëherë nga shteti grek dhe sipas tij, këto akuza kanë sfond politik. Kajmaku është shprehur se emrin e ka ndryshuar si “një pjesë e mirë e shqiptarëve”, për t’iu dhënë mundësia e qendrimit në shtetin fqinj.