Sipas policisë, të riut iu gjend në banesë një sasi e konsiderueshme lëndë narkotike, ndërsa tashmë ai do të duhet të japë llogari për vepra penale që lidhen me trafik droge.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Fier në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. C., 19 vjeç, banues në Fier. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 19-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2.1 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Nxitja për përdorimin e drogës”.