6 punonjë të Policisë Kufitare Gjirokastër janë arrestuar sot në Kakavijë. Hetimi ndaj tyre kishte nisur prej disa muajsh. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Policinë e Shtetit, duke përdorur metoda speciale hetimi, i mbante ata nën vëzhgim për një kohë të gjatë, derisa të dokumentohej veprimtaria e paligjshme dhe shpërdorimi i detyrës teksa ishin në punë në vijën e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Greqisë. Këta punonjës policie në kohë të ndryshme kanë lehtësuar kalimin e paligjshëm nëpërmjet vijës së gjelbër, kundrejt shpërblimit, për shtetas të ndryshëm që kanë patur probleme me lëvizjen në zonën ‘Shengen’, si dhe për klandestinë nga vendet e luftës.
Për disa muaj me rradhë, efektivë të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat kanë mbajtur nën vëzhgim, përgjuar dhe kryer veprime simuluese, për të dokumentuar veprimtarinë e paligjshme të këtyre shtetasve. Gjykata e Rrethit gjyqësor Gjirokastër ka vendosur për këta punonjës policie, masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ende nuk konfirmohet nga policia sasia e parave që kanë përfituar në mënyrë të paligjshme këta punonjës policie. Më poshtë emrat e tyre.
Gentjan Gjolleshi, punonjës i Policisë Kufitare Gjirokastër;
Luan Shosha, punonjës i Policisë Kufitare Gjirokastër;
Roland Gega, punonjës i Policisë Kufitare Gjirokastër;
Afrim Çomo, punonjës i Policisë Kufitare Gjirokastër;
Edmond Nikolla, punonjës i Policisë Kufitare Gjirokastër;
Fatmir Beqo, punonjës i Policisë Kufitare Gjirokastër;
Besnik Sinani, nga Fieri.
Ndërkohë po punohet për ndalimin e një shtetasi tjetër të shpallur në kërkim, si pjesë e kësaj veprimtarie të paligjshme.