Në kërkim të vazhdueshëm për një imazh që përbën lajm, pa anashkaluar kurrsesi gjurmë të artit, qoftë mes ujërash apo trupa qiellorë.
Ky është Florion Goga, fotografi i “Reuters”, i pandarë me aparatin fotografik, nga dëshira për të bukurën dhe të vecantën. Ndonëse i vetëdijshëm se gjithmonë do të mbetet në kërkim të adrenalinës, aksionit, lëvizjes dhe ngjyrave, profesionistit 33-vjeçar i pëlqen të ndalet, por jo përpara gjithçkaje apo kujtdo.
Për të mbetet mister i pazgjidhshëm dhe intrigues hëna, në rritje e rigjenerim, dukshëm në qiell. Dhe një foto e shkrepur në Malin e Dajtit, pikërisht hënës së parë të plotë të 2021, ka tërhequr vëmendjen e prestigjiozes britanike “The Guardian”, duke e klasifikuar ndër fotot më të mira të 29 janarit.
Ky vlerësim nuk është i pari, dhe padyshim jo i fundit. Emri i Florionit haset kudo tashmë, si fotoreporteri që çon Shqipërinë në mediat e mëdha të botës.