Punonjësit e Policisë, gjatë kryerjes së misionit të tyre janë vazhdimisht të ekspozuar ndaj rrezikut dhe për rrjedhojë kanë nivele të larta të stresit. Për këtë arsye është hartuar një udhëzues i përbashkët nga PAMECA V, Policia e Shtetit dhe Urdhri i Psikologut. Valbona Treska presidentja e urdhrit të psikologut, thotë për Klan News se psikologet e atashuar pranë komisariateve do ndryshojnë programin e punës. Treska shpjegon se janë dy faktorë që kanë ndikuar në rritjen e nivelit të stresit dhe ankthit. Tashmë psikologët do angazhohen dhe në rastet e pengmarrjeve apo dhe operacione të ndryshme të ngjashëm me rastin e Lezhës kur u lokalizua Aldi Rama, i cili vrau efektivin Saimir Hoxha. Ata do jenë pjesë e grupit negociator. Deri më tani janë 30 psikologë, por numri pritet të rritet në vijim. Fokusi i punës së tyre do jetë udhëzimi i efektivëve si të veprojnë në situata të ngarkesës psikologjike dhe të ndihmojnë veten për të zbutur situatat e stresit./ Klan