Instat ka publikuar Raportin Vjetor për vitin 2019, në të cilin në fakt, dalin në pah një sërë elementësh për qarqet e Shqipërisë.
Referuar këtyre të dhënave, secili qark ka nga një tipar për të cilin është dalluar nga të tjerët, qoftë ky tipar i interpretueshëm si pozitiv, negative, apo neutral.
Për shembull, Sipas të dhënave statistikore të INSTAT për vitin 2019, qarku i Elbasanit ka rezultuar si qarku në të cilin shpenzohet më së shumti për pije alkoolike dhe duhan. Tirana, nga ana tjetër, midis një shumëllojshmërie zërash për të cilët mund të identifikohej, bie në sy si qarku me numrin më të lartë të kondicionerëve.
Instat tregon se sa i takon teknologjisë, Lezha është qarku me përqindjen më të lartë për njësi familjare, që zotërojnë pajisje shumë-funksionale si Iphone, Ipad, smart, etj.
Nga ana tjetër, si tregues kryesor për vitin 2019, qarku i Gjirokastrës ka numrin më të vogël të banorëve në familje, konkretisht 3 anëtarë për familje. Ndërkaq, Korça rezulton një qark me jetesë “të kënaqshme”, duke u renditur qarku i dytë në Shqipëri për nga shpenzimet mesatare për konsum. Konkretisht, 82.224 lekë në muaj.
Qarku i Fierit, siç Instat flet, është qarku me përqindjen më të lartë për njësi familjare, të cilat zotërojnë panele diellore. Sa i takon Dibrës, rezulton si qarku më “i apasionuar” pas blerjeve shtëpiake, me përqindjen më të lartë të shpenzimeve për grupin “furnizim me pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje”.