Ndërsa mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi patën probleme për t’u rikthyer në vendin helen, e kundërta po ndodh me shtetasit britanikë.
Kjo, për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me koronavirus në Greqi.
Daily Mail shkruan se britanikët, të cilët kanë shkuar me pushime, po përballen me vështirësi për t’u kthyer në atdheun e tyre nga Greqia dhe Kroacia, ndërsa frika vazhdon të rritet se vende të tjera europiane mund të shtohen në ‘listën e kuqe’ të karantinës brenda ditëve.
Greqia ka parë një rritje të konsiderueshme të numrit të rasteve të reja – nga 202 javën e kaluar në 226 dje – ndërsa Kroacia tani ka shkuar mbi nivelin e karantinës së qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar me 20 raste për 100,000 njerëz në një periudhë shtatë ditore.
Destinacione të tjera pushimesh gjithashtu mund të shtohen në “listën e zezë”, si Spanja dhe Franca, nëse ato kanë një rritje të papritur të dytë në infeksione që kap udhëtarët.
Rreth 500,000 persona duhet të ktheheshin në Britani nga Franca përpara orës 4:00 të së shtunës për të mos u karantinuar më pas, lajm që ishte njoftuar 30 orë më parë.