Një Gjykatë federale e Apelit refuzoi kërkesën e fushatës së presidentit Donald Trump, që presidenti i zgjedhur, Joe Biden të mos shpallej fitues në shtetin e Pensilvanisë. Ky vendim i kësaj gjykate është goditja e radhës që i bëhet përpjekjeve të Trumpit, për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit. Fushata e Trumpit kishte bërë këtë kërkesë në gjykatë më herët gjatë këtij muaji, duke thënë se zyrtarët zgjedhorë në Pensilvani kishin trajtuar votimet me postë në mënyrë jo të duhur, andaj u kërkua nga gjykata që të ndërpriste certifikimin e rezultateve.
Gjyqtari tha se këto pretendime kërkonin edhe dëshmi. Dhe të tilla nuk ka. Lidhur me këtë rast, ekipi i Trumpit mund ta apelojë vendimin duke e dërguar në Gjykatën Supreme. Më herët gjatë kësaj jave, Pensilvania e certifikoi Bidenin si fitues,.
Trump tha më 26 nëntor se do të largohet nga Shtëpia e Bardhë nëse Kolegji Elektoral voton për Bidenin. Më 23 nëntor, ka nisur edhe zyrtarisht procesi i trazicionit të Bidenit për në Shtëpinë e Bardhë. Që të gjitha 50 shtetet e SHBA-së duhet të certifikojnë rezultatet përpara se Kolegji Zgjedhor të takohet më 14 dhjetor dhe të gjitha proceset gjyqësore që kanë të bëjnë me votimet, duhet të përmbyllen deri më 8 dhjetor.