Një kënd për sigurinë rrugore i dedikuar për fëmijët do të ndërtohet në Gjirokastër. “Traffic Town” është hapësira e dytë që do të ndërtohet në Shqipëri pas asaj që u inagurua në Kamëz në shkurt të këtij viti. Investimi do të kryhet nga qeveria polake. Lajmin e bën të ditur kryebashkiaku Flamur Golemi teksa priti në Gjirokastër ambasadoren e Polonisë në vendin tonë, Monika Zuchniak-Pazdan.
“Me ambasadoren e Polonisë në vendin tonë, Monika Zuchniak-Pazdan, në të parën vizitë të saj në Gjirokastër, por sigurisht jo të fundit sepse do të rikthehet sërish për të konkretizuar projekte me interes të përbashkët. Folëm për bashkëpunimin në fushën e turizmit duke qenë se Gjirokastra është një destinacion i frekuentuar shumë nga turistët polakë që vijnë në vendin tonë. Potencialet janë për një fluks shumë më të madh sesa kaq sidomos tani që distanca me Sarandën është shkurtuar në rreth 30 minuta. Lajm shumë i mirë të dëgjoja prej ambasadores ndërtimin në Gjirokastër të një “Traffic Town”, një hapësire moderne të dedikuar për fëmijët, ku argëtimi dhe edukimi për sigurinë rrugore ndërthuren më së miri. Mezi pres që ky projekt të marrë udhë dhe ta finalizojmë sa më parë”, shkruan Golemi.
Argjirolajm.net mëson se “Traffic Town” do të ndërtohet diku në zonën rreth aerodromit të Gjirokastrës. Punimet parashikohet të nisin në vjeshtë të këtij viti.