Grabitjet në Tepelenë, Memaliaj po dhe në Gjirokastër janë shtuar shumë kohët e fundit. Grabitje të armatosura, të pamëshirshme, me një objektiv; marrjen e ca miliona lekëve. E fundit, ishte ajo në qendër të Tepelenës, ku një i ri 25 vjecar me precedent penalë, hyri me armë në mes të ditës në një bankë dhe mori 5 milionë lekë. Policia e kërkon, edhe pse ka të dhëna të plota për të dhe të shkuarën e tij, ende nuk e ka ndalur. Po pse ka një valë grabitjesh gati të përditshme në këtë zonë?
Arsyeja kryesore lidhet me faktin se në Tepelenë, Memaliaj e Gjirokastër ka shumë përdorues droge. Të ndërvarur tashmë, pasi për 4 vite të lulëzimit të kanabis sativa në cdo kodër, të rinjtë ishin mësuar jo vetëm të bënin lehtësisht biznes e para, por sidomos ta konsumonin orë e cast një trefletësh, sic e quajnë.
Kjo u kthye në zakon. Dëndeshin me hashash në cdo orë të ditës dhe kushtonte mjaft lirë. Ishte kthyer në një lloj vakti, një supe mense.
Sot që kanabizimi është ndalur, të rinjtë e këtyre zonave e kanë më të vështirë për ta gjetur. Dhe sigurisht, kushton shumë më shtrenjtë. Por ndërvarësia që kanë krijuar, i detyron të kryejnë krime. Kanë nevojë imediate për “bar” kështu që nuk marrin parasysh asgjë, dhe kapin armët e maskat e kryejnë grabitje.
Kjo është një prej pasojave të rënda të kanabizimit të vendit.
Të tjerat janë të rënda po ashtu dhe po denoncohen cdo ditë. Sic është futja e parasë së pisët në treg duke prishur konkurencën, kryesisht në ndërtim. Apo edhe në politikë, sic është blerja e votës dhe korruptimi i autoriteteve.
Sipas vlerësimit të BBC, theksuar së fundmi nga një investigim i “The Indipendent”, xhiroja vjetore e bërë me drogën, ishte të paktën 4 miliardë euro, me kulm në vitet 2015-2016.