Pas dorëheqjes së Flori Veliut në fillim të muajit qershor, në krye të Inspektoriatit të Punës në Gjirokastër është një emër i ri. Burime të ArgjiroLajm.net thonë se në këtë institucion është emëruar një grua, Majlinda Llaka Gjikopulli. Me origjinë nga Himara, por e martuar në Gjirokastër, ajo deri më tani ka qenë një person anonim, të paktën kur është fjala për lidhjen me radhët e strukturave të socialistëve në Gjirokastër. Me siguri emërimi i saj në këtë institucion, mund të jetë një rast përjashtimor.
Pra, jo domosdoshmërisht të ketë lidhje me partinë, për t’u ‘shpërblyer’ me një post drejtues siç ndodh rëndom në vendin tonë. Majlinda Llaka Gjikopulli në vitet 1999-2005 ka punuar si doganiere në Kakavijë, ndërsa studimet i ka përfunduar për degën Mercologji. Veç përvojës në sektorin shtetëror, ajo ka punuar gjithashtu edhe si arkëtare pranë një banke të nivelit të dytë në Gjirokastër. Gjikopulli është ish-doganierja e dytë që drejton një institucion në Gjirokastër gjatë qeverisë ‘Rama 2’. Rreth një vit më parë u emërua një tjetër ish-doganiere, Doriana Demo. Ajo drejton Ndërmarrjen e Trajtimit Studentor në Gjirokastër.
© ArgjiroLajm.net