Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka mbledhur krerët e bashkive dhe të Partisë Socialiste në Qarkun e Gjirokastrës, me të cilët ka diskutuar për zgjedhjet e 25 prillit. Përmes një statusi në “Facebook”, ministri thekson se PS ka hyrë “në një fazë të re që kërkon angazhim të përbashkët të çdo strukture socialiste, të çdo anëtari, simpatizanti apo qytetari të zakonshëm që beson se do të ishte gafë e madhe kthimi pas aty ku ishim në vitin 2013”.
“Me kryetarët bashkive dhe të Partisë Socialiste në qarkun Gjirokastër, ku diskutuam çështje të ndryshme të organizimit elektoral që na çon në fitoren historike të 25 prillit. Kemi hyrë në një fazë të re që kërkon angazhim të përbashkët të çdo strukture socialiste, të çdo anëtari, simpatizanti apo qytetari të zakonshëm që beson se do të ishte gafë e madhe kthimi pas aty ku ishim në vitin 2013. Pak po e sigurt, që s’ka për të pasur kthim prapa. Deri më 25 prill do të jemi përballë një sfide të vështirë me të shkuarën, për t’ja bërë më të lehtë Shqipërisë të ardhmen. Ata janë e shkuara që sjell vetëm rrëmujë dhe rrënim. Ne kemi përballë vetëm të ardhmen dhe përpjekjen e vazhdueshme për të qeverisur gjithmonë e më mirë, për të adresuar si duhet hallet dhe shqetësimet e njerëzve, për të patur më shumë vende pune, më shumë investime dhe mundësi për të gjithë. #BashkëMePartinëSocialiste”, shkruan ministri.
Ndërkohë që socialistët kanë nisur prej muajsh fushatën dhe janë në terren, te opozita cuditërisht vihet re një lloj tërheqje. Situata është pezull dhe të vetmet zhvillime që vijnë prej tyre janë statuset në Facebook të Vangjel Tavos dhe Tritan Shehut. Nëse te LSI panorama është e qartë, me Vangjel Tavon që do të jetë sërish në krye të listës për një mandat tjetër, te PD nuk është përcaktuar akoma drejtuesi politik. Tritan Shehu shfaqet si i tillë, por zyrtarisht nuk është caktuar ende nga Lulzim Basha. Te PD Gjirokastër gëlon prej muajsh një ‘luftë’ e brendshme mes dy grupimeve përsa i përket të parit të listës. Por ka edhe një plan B që po diskutohet në korridoret e opozitës. Kryesimi i listës në qarkun Gjirokastër t’i lihet LSI-së me Vangjel Tavon. Kjo do të ishte goditje për PD-në dhe një terren i sigurt për socialistët që të merrnin mandatin e tretë. Sidoqoftë ditët e ardhshme do të ketë më shumë zhvillime dhe gjërat pritet të kristalizohen.
©argjiroja.net