Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Gjirokastër prej kohësh është duke ndjekur një praktikë që bie ndesh me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Përmes faqes në Facebook të këtij institucioni publikohen herë pas here emrat e personave që marrin certifikatën e pronësisë.
Veç emrit ekspozohet në disa raste edhe numri i lejes së legalizimit që është lëshuar nga ALUIZNI. ZRVPP Gjirokastër ka detyrimin ligjor që të njoftojë qytetarët për përfundimin e praktikës në këtë institucion përmes Postës Shqiptare, duke ruajtur në këtë mënyrë edhe konfidencialitetin e të dhënave. Përse duhet ta marrë vesh gjithë dynjaja që filan person ka për të marrë certifikatën e pronësisë?
Përse duhet të bëhet publik emri i tij, numri i një dokumenti të caktuar etj? Natyrisht që nuk jemi duke thënë se kjo praktikë mbart ndonjë qëllim të keq, por në fakt është shkelje e ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
Dëshira e drejtorit Florian Taçi për të promovuar punën e tij në rrjetet sociale nuk mund të bëhet në kurriz të cënimit të të dhënave personale të qytetarëve që aplikojnë tek Hipoteka Gjirokastër për të marrë shërbime. Shihni më poshtë fotot e disa postimeve në faqen e ZRVPP Gjirokastër.
©argjiroja.net