Pas një sezoni të suksesshëm turistik Gjirokastra ka hapur dyert për një ngjarje të rëndësishme si Argjiro Fest 2017. Qyteti muzeal i Gjirokastrës shndërruar në vendin e festës me aktivitete të larmishme ku spikat folklori i zonave të ndryshme të vendit, por edhe ndërkombëtar. Aktiviteti ngriti siparin me parakalimin e grupeve te shumta folklorike pikërisht nga Sheshi i Cercizit për të vijuar në odeonin e qytetit aty ku edhe jepen shfaqjet. Kryebashkiakja Zamira Rami ka ftuar qytetarët në mbarë vendin të vizitojnë Gjirokastrën këtë fundjavë.
Zamira Rami: Janë të ftuar të gjithë gjirokastritët që janë anë e mbanë Shqipërisë por edhe përtej kufijve të saj. Po pse jo edhe banorët e qyteteve të tjera që kanë dëshirë të kalojnë një fundjavë ndryshe në Gjirokastër mund të vijnë dhe të kënaqen në këtë 4 ditësh plot me aktivitete.
Të mrekulluar për atë që gjetën në Gjirokastër, festivalistët vleresojnë këtë inciativë mjaft domethënëse.
Festivalistët: “Hera e tretë që vijmë në këtë vend kaq të bukur dhe pasi ngjan shumë me Prizrenin, vendin tonë, ndihemi si në shtëpi.”
“Ne përfaqësojmë komunitetin arbëresh në Itali. Për ne është si në shtëpi, është një manifestim i bukur. Ne i ruajmë traditat tona dhe shoh që gjithçka këtu është shumë e ndjerë.”
Së bashku me Argjiro Fest, në Gjirokastër janë planifkuar edhe aktivitete të tjera si parada e kostumeve popullore, panairi i artizanëve nga të gjitha trevat shqiptare, ekspozita etnografike dhe ajo e librit./ora news