Replika të forta mes gazetarit Armand Shkullakut dhe kryedemokratit Lulzim Basha në tryezën e sotme për lirinë e medias, e cila ishte organizuar nga opozita.
Në fjalën e tij, gazetari Armand Shkullaku ka folur lidhur me problematikat e medias duke mos i kursyer kritikat as për opozitën, e cila sipas tij kur ishte në pushtet gjithashtu ka pasur sjellje jo të mira me median.
“Edhe ju në nëndërgjegjen tuaj s’do donit të ishin mediat, të mos dilnin gjërat në sipërfaqe, por kur e bën këtë gjë me ligj, kjo është shumë e rëndë. Sot Rama ka filluar bën filma me 2 fëmijë, film real, merr dhe Rakip Sulin atje për rol dytësor. Edhe ju kur keni qenë në pushtet, kishit media që i shtrëngonit, media që i donit, keni bërë lloj lloj budallalliqe, madje keni ngritur dhe komisione hetimore. Do të ishte mirë që ky takim të niste me një ‘meaculpa’ për atë që ka bërë PD kur ishte në pushtet”, u shpreh Shkullaku.
Fjala e tij u pasua dhe nga një ndjesë nga ana e liderit të PD-së, Lulzim Basha lidhur me ndërhyrjen e partisë që ai drejton për pengimin e fjalës së lirë. Gjithashtu Basha ka garantuar se ngjarje të tilla nuk do të ndodhin më në momentin kur demokratët të vijnë në pushtet.
“Mea Culpa e PD për gjithcka në këto 30 vite. Jam i gatshëm ta bej një zotim solemn për anulimin e këtij akti apo akti tjetër që cenon standardet europiane të shrehjes së lirë. Kërkesën për të hartuar së bashku një kuadër rregullues që do të hyjë në fuqi në javën e parë të qeverisjes nga opozita e bashkuar. Zotimi im është dhënia fund e çdo praktike që ka për qëllim dobësimin apo korruptimin e medias në transmetimin e mesazhit me kaseta, bllokim të gazetarëve, listë e zezë e cila tek me nuk ekziston. Tre përkushtime i marr sot para jush. Me të 25 shoqatat e medias nga dita e mërkurë e tutje mirëpres çdo formë konsultimi me ne dhe ekspertët tanë,”- tha ndër të tjera Basha.