Kandidatja për deputete e Partisë Demokratike në qarkun Gjirokastër, Entela Shehaj, ka dhënë një intervistë për televizionin Channel 7, që administrohet prej pak kohësh nga familja Tavo. Që në hyrje të bisedës drejtuesja e emisionit, Orjana Çenko, teksa lexon CV-në e Shehajt, shpreh habinë për një shkrim pro saj të botuar disa kohë më parë në “një portal që mbron Partinë Socialiste” deklaroi ajo. Natyrisht që nuk e përmendi emrin, por autorësinë e marrim përsipër ne sepse i referohet pikërisht shkrimit tonë. Që mund ta shihni në këtë LINK.
Korrekte do të ishte që Çenko ta citonte portalin sikundër citojmë edhe ne televizionin ku ajo punon. Megjithatë kjo është çështje e saj dhe e raportit që ajo ka zgjedhur të ketë me kolegët apo mediat e tjera. Së pari na vjen mirë që Çenko na lexon. Së dyti, duam t’i bëjmë me dije se nuk jemi portal që mbrojmë Partinë Socialiste sikundër ajo deklaroi dhe as buletin i kësaj force politike. Në lirinë tonë të plotë prej vitit 2016 kur nisëm për herë të parë punen, kemi zgjedhur të kemi një linjë editoriale të caktuar sepse kështu e vlerësojmë dhe besojmë. Nëse ti kundërshton vazhdimisht ca personazhe qesharakë si Tritan Shehu e Vangjel Tavo që sillen rrotull nesh prej 3 dekadash dhe japin leksione demokracie, kjo nuk nënkupton që je në mbrojtje të palës tjetër siç ju thatë. Në këto momente siç është konfiguruar skena politike shqiptare, natyrisht që ne bëjmë pjesë tek ata që mendojnë se Partia Socialiste është e keqja më e vogël për drejtimin e vendit.
Por kjo nuk do të thotë se socialistët marrin notën 10 për qeverisje, që nuk kanë vjedhur e nuk kanë abuzuar me pushtetin. Kanë plot kusure e mëkate të tyre që sigurisht si plot media të tjera online edhe ne i kemi botuar. Kjo është linja jonë editoriale dhe për të cilën nuk kompleksohemi fare. E kemi zgjedhur me lirinë tonë të plotë. Çfarë është më e rëndësishme, të mos gënjejmë në raportimet tona dhe të mos shpifim. Tek lidershipi i Lulzim Bashës, i Monika Kryemadhit dhe modelit klientelist të LSI-së, ne nuk besojmë. Kjo është linja jonë editoriale zonja Çenko. Për PS-në, nuk na ha meraku fare se kush ia bën avokatinë. Mirë ju që keni këtë botëkuptim që i ndani njerëzit në llogore, por nuk e dinim që nga shkrimi jonë ishte befasuar edhe vetë Entela Shehaj.
Çfarë kemi shkruar kohë më parë nuk i heqim asnjë presje sepse i besojmë vërtetë. Edhe këtu ku është e treta në listë, sërish Entela Shehaj është vlerë e shtuar për Partinë Demokratike. Kjo nuk është diversion dhe ne s’kemi fare kompleks ta themi e pranojmë këtë gjë, madje edhe t’u bëjme thirrje atyre që s’kanë një votë për PS-në në këto zgjedhje, të mbështesin Entela Shehajn. Po, sigurisht! Më mirë Entela Shehaj sesa fosilet politike si Tritan Shehu e Vangjel Tavo që i janë qepur politikës prej 3 dekadash dhe vazhdojnë ende sot dërdëllisin dokrra para qytetarëve. Ne ishim pro Entela Shehajt që në ato ditë të para kur kishte nga ata pranë PD-së, që e qesëndisën në rrjetet sociale dhe madje e linçuan.
Por për fat të keq PD e Lulzim Bashës nuk ka aftësinë të ripërtërihet dhe të hapet ndaj shoqërisë. Entelën si prurje të re e vendosën të tretën në listë ku ka pak gjasa që të zgjidhet deptuete, ndërsa në krye qëndron sërish i njëjti personazh që duket sikur ka ardhur nga shekulli i kaluar dhe s’e lidh asgjë me PD-në e sotme dhe nevojën e saj ulëritëse për t’u reformuar. Jemi shprehur në favor të Entela Shehajt sepse kemi parë tek ajo një shpresë për t’i dhënë një fytyrë të re PD-së në Gjirokastër. Sa më shumë Entela të kemi në PD dhe sa më pak Dashora e Beqora, aq më mirë i bën opozitës dhe atyre qytetarëve që nuk ndihen sot të përfaqësuar. Ka plot që duan të jenë me PD-në e madje të kenë edhe rol aktiv pse jo.
Por kur shohin aty të njëjtët personazhe qesharakë e banalë në disa raste që kanë hedhur rrënjë, sigurisht që ikin nga sytë këmbët. Zysh Entela, shpresojmë që rikonfirmimi i kësaj konsiderate e mbështetje që ne shprehim për ju si model i atyre që duhet të jenë sot në politikë, por që nuk e dimë si do silleni ju nëse do të keni pushtet, e as i vëmë duart në zjarr, të mos ju krijojë problem në radhët e përkrahësve tuaj. E themi këtë, meqë enturazhi rreth PD-së ju ka këshilluar se mbështetja jonë publike ju paska prishur punë. Medemek ka dekurajuar votuesit e PD-së. Çfarë kemi shkruar për ju, e kemi bërë thjesht për interes publik, jo për t’ju prishur punë, as për t’ju bërë fushatë dhe as për të pritur diçka në këmbim. Po e keni kufizuar hapësirën vetëm tek militantët e PD-së, me aq pak sa kanë ngelur, rrezik nuk del as Tritan Shehu deputet, jo më ju që jeni renditur e treta në listë.
©ARGJIROLAJM.net