Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, njëherësh edhe drejtuesi politik i PS-së në Gjirokastër, vijon fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Së fundi Çuçi ka zhvilluar takime me të rinj. Së pari me koordinatorët e FRESSH në rang qarku dhe më pas me disa të rinj në lagjen “Palorto” të Gjirokastrës.
“Në dallim nga të tjerët ne nuk i duam të rinjtë vetëm për fushatë e as kujtohemi për ta sa herë ka zgjedhje. I kemi të përfshirë nga të gjitha nivelet e qeverisjes qëndrore e vendore. Shumë prej tyre ndërkohë janë pjesë e listave të kandidatëve për deputetë, të ardhur nga FRESSH apo edhe nga platforma “Deputeti që Duam”. Na duhet të jemi bashkë më 25 prill për të garantuar vijimësinë e punëve që kemi nisur e të atyre që po na presin për Gjirokastrën e mbarë vendin. Asnjë votë mos shpërdoroni për ata që kurrsesi nuk janë një alternativë më ë mirë për Shqipërinë sesa Partia Socialiste”, shkruan Çuçi në faqen e tij në Facebook.