Periudhat tranzitore të ndryshimit të pushtetit apo drejtuesve në institucionet shtetërore shqiptare janë tipike për të abuzuar me ligjin. Shumë titullarë ecin me parimin: Pas meje, le të bëhet qameti!
Kështu ka ndodhur edhe në Gjirokastër. Veç tenderave të bërë gjatë korrikut nga ish-kryebashkiakja Zamira Rami, majde një kontratë e nënshkroi një ditë para se të dilte nga zyra, ka pasur edhe një ndërtim pa leje në zonën muzeale të qytetit. Zor të mendosh se ky ndërtim pa leje i ka shpëtuar syrit të policisë bashkiake apo inspektorëve të ndërtimit, të cilët e kanë detyrë funksionale parandalimin e ndërhyrjeve pa leje.
Jemi para rastit kur ish-kryebashkiakja dhe vartësit e saj mund të kenë toleruar këtë ndërtim të paligjshëm, për punë kunetërish dhe gazetarësh të marrë me qira. Sot objekti që shihni në foto është prishur me urdhër të kryebashkiakut të ri Flamur Golemi. Punonjësit e inspektoriatit të ndërtimit dhe Policisë Bashkiake e prishën ndërtimin e paligjshëm që ishte ngritur teksa e gjithë vëmendje ishte fokusuar tek protestat e opozitës dhe 30 qershori.
Megjithatë prishja e këtij ndërtimi pa leje është gjëja më minimale që duhet të bënte me kohë Bashkia Gjirokastër. Problemi është nëse do të ketë masa edhe ndaj atyre që e kanë toleruar këtë paligjshmëri. Nuk ka kuptim që Bashkia thjesht të mjaftohet me prishjen e ndërtimit, ndërkohë që punonjësit që nuk e parandaluan të vijojnë të qetë punën e tyre. Nëse ndërtimi nuk do të ishte lejuar që në fillim, pra nëse punonjësit do të kishin bërë detyrën, sot Bashkia s’do të paguante koston e prishjes.
©argjiroja.net