Bashkia Gjirokastër ka nisur ndërhyrjet në shkolla e kopshte për t’i bërë gati për vitin e ri shkollor që nis më 16 shtator. Kryebashkiaku Flamur Golemi ishte sot në shkollën ‘Naim Frashëri’ për të parë nga afër punimet. Teksa publikon disa foto në faqen e tij në Facebook, Golemi thotë se nuk ka gjetur para në dispozicion për këto punime nga paraardhësja e tij në Bashki.
“Edhe pse mundësitë financiare që gjeta në Bashki për këto ndërhyrje janë të kufizuara dhe thuajse nuk ka fare, do të bëjmë çdo përpjekje që shkollat e kopshtet të kenë kushte optimale. Falenderoj bizneset që u treguan të gatshëm për të na ndihmuar”, shkruan Golemi.
Javën e shkuar ai pezulloi nga detyra Armand Mamanin, kreun e Agjencisë së Mirëqënies Sociale, që mbulonte edhe shërbimin e mirëmbajtjes së shkollave. Pezullimi i Mamanit u bë pas një raporti auditi të brendshëm, gjetjet e të cilit nuk dihen ende.
©argjiroja.net