Albano Aleksi ishte një nga më të mirët për Luftëtarin në ndeshjen me Laçin, jo vetëm për golin e dytë që shënoi, por edhe për ritmin e lojës. Trajneri Julian Ahmataj e kishte vendosur në një pozicion të ri, më përpara në mesfushë dhe jo në rolin e shkatërruesit. Pas ndeshjes, futbollisti i Luftëtarit tha se trajneri i ri ka sjellë një frymë të re, por gjithashtu theksoi se problemi i ekipit nuk ishte trajneri Mezani:
“Profesor Juli na dha më shumë besim. Në ndeshjen me Kastriotin kishim disa lojtarë mangët, akoma janë lojtarë të tjerë që presim, por sot luajtëm mirë. Ne lojtarët kemi qejf të luajmë dhe vendin në fushë e vendos trajneri. Luaj me Ramadanin para mbrojtjes, por sot luajta më para, isha më afër portës dhe u ndjeva shumë mirë. Shpresoj të vazhdoj kështu.
Nuk ishte problemi trajneri Gentian Mezani, thjesht duhet një motivim ndryshe. Profesor Juli ka disa ditë që ka sjellë një frymë të re. Ka gjëra që më pëlqejnë te profesor Mezani, nuk ka lidhje. Në pjesën e dytë kemi luajtur shumë mirë dhe kjo do të thotë se ekipi është. Presim edhe lojtarë të tjerë, që do të na ndihmojnë në të ardhmen.
Na vjen keq që profesor Mezani iku, por futbolli kështu është. Thjesht kishim nevojë për më shumë motivim. Fazën përgatitore nuk e kryem si ekipet e tjera, për shkak të kushteve të motit. Shpresojmë që ndeshja me Kastriotin të ketë qenë një ditë e keqe. Duhet të vazhdojmë me fitore”, – tha mesfushori i Luftëtarit, Albano Aleksi.