Duket se arrestimi i Fredi Belerit në Himarë nën akuzë për blerje votash mund të ketë ndikuar edhe në votimin e festivalit në Eurovision. Në natën finale mbrëmjen e sotme, Greqia i ka dhënë Shqipërisë vetëm 3 pikë. 10 shkuan për Portugalinë dhe 8 pikë për Izraelin. Vlerësimin maksimal prej 12 pikësh Greqia ia dha Suedisë. Prej dy ditësh Tirana dhe Athina janë përfshirë në një përplasje verbale pas arrestimit të kandidatit për bashkinë Himarë, Fredi Beleri. Këtë të fundit sot Gjykata e Vlorës e la në masën e sigurisë “arrest me burg”. Dosja i ka kaluar SPAK për një vlerësim tjetër ndërkohë që Beleri është transportuar për në paraburgimin e Tiranës.