Ky është teatri antik Adrianopoli, nga ku Kosta Zhonga, i njohur për fëmijët si xhaxhi piktori mori indicien për të zhvilluar Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Dropull të Gjirokastrës.
“Ky është vendi magjik i cili na dha idenë në për të realizuar këtë festival. Patëm një ndjesi shumë të veçantë kur erdhëm këtu”, tregon Kosta Zhonga.
Festivali i filmit i shfaqur për publikun përgjatë tri netëve, solli në konkurrim 20 filma nga regjisorë shqiptarë dhe grekë. Çmimi i festivalit iu akordua filmit ‘Pashka’ të regjisorit Oltjon Lipe, një produksion që sjell në vëmendje problemin e migrimit.
Në film, babë e bir udhëtojnë së bashku me kujtimet nga Greqia drejt kufirit shqiptar. Aktori Karafil Shena, në film me rolin e babait, na tregon emocionet e përjetuara në këtë rrugëtim.
“Ajo që mua më ka emocionuar shumë është pikërisht momenti që kam një takim me tim bir në një kafene, u krijua një atmosferë dhe të gjithë figurantët aty ishin shqiptarë. Greqia është për të jetuar, ndërsa Shqipëria është për të vdekur, ka varrezat më të qeta në botë”, u shpreh aktori Karafil Shena.
Shkrimtari dhe regjisori grek Nikos Theodosiou, pjesë e jurisë së bashku me regjisorët Esat Musliu dhe Joan Zhonga tregon se festivale të tilla duhet të sillen më shpesh për komunitete të vogla.
“Eshtë hera e parë që vij në Shqipëri, në krahinën e Dropullit. Jam shumë i emocionuar. Një Festival ndërkombëtar është urë lidhëse e miqësisë së popujve ku lidhet publiku me krijuesit e filmave”, tha Theodosiou.
Në natën finale të festivalit u shfaq edhe një film i animuar me plastelinë. Ky film erdhi pas një punë treditore të regjisorit Joan Zhonga. Përgjatë ditëve të festivalit, fëmijët e Dropullit mësuan se si të shpalosnin fantazinë e tyre me plastelinë.
“Kam ardhur këtu me shoqet e mia për të bërë punime me plastelinë”, tha një vogëlushe.
“Kjo është një ide, këto i kemi bërë vetë edhe jemi ndjerë shumë bukur”, u shpreh një fëmijë tjetër.
Fëmijët e zonës patën po ashtu mundësi që gjatë ditës të pikturonin edhe me xhaxhi piktorin. Në fund të festivalit punimet e tyre u ekspozuan për publikun së bashku me ekspozitën e piktorit Jorgo Mici.
Drejtori i festivalit, Kosta Zhonga shpreson që festivale të tilla ku promovohet arti dhe kinematografia të përsëriten vit pas viti.