Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka akuzuar PD dhe LSI se po paguan të miturit për të nxitur akte të dhunshme në protesta.
Gjonaj ka dënuar dhunën në protesta duke thënë se opozita nuk mund të vijë në pushtet duke përdorur fëmijët për akte të tilla të dhunës e shkatërrimit.
Gjatë një interviste për Report Tv, Ministrja Gonaj shtoi se qeveria mori përgjegjësi morale dhe tregoi se është e ndryshme nga qeveria “Berisha”, pasi nuk i dha mbrojtje efektivit që vrau por ia dorëzoi drejtësisë, ndryshe nga Berisha që mbrojti gardistët që vranë 4 protestues të pafajshëm në 21 janar.
Në lidhje me dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, Gjonaj tha se ai nuk kishte asnjë përgjegjësi ligjore për aktin e policit që vrau Klodjan Rashën, por se akti i tij ishte thjeshtë përgjegjësi morale.
Gjonaj foli edhe për shkatërrimin e selisë së PS në Shkodër një ditë më parë duke thënë se këto akte janë nxitur nga kryetarja e Bashkisë Voltana Ademi.
Gjonaj tha se policia e prokuroria do të përdor të gjitha materialet filmike gjatë protestës për të identifikuar organizatorët apo nxitësit e dhunës dhe t’i vendosë ata para drejtësisë, të cilët me ligj dënohen deri në 4 vite burg për nxitje të fëmijëve për akte dhune në protesta.
Gjonaj vlerësoi rolin e policisë në protesta duke thënë se po kryen punën sipas standardeve ndërkombëtare. Ajo u bëri apel prindërve të kenë kujdes për fëmijët dhe të mos i lejojnë të keqpërdoren nga subjekte politike.
Gjonaj: Kush nxit të miturit për akte dhune në protesta, dënohet deri në 4 vjet burg
Duke iu referuar prezencës së kryebashkiakes Voltana Ademi në protestat e djeshme në Shkodër, Ministrja Etilda Gjonaj deklaroi se ata persona që nxisin të miturit për akte dhune dënohen deri në 4 vite burg.
“Sot vëmë re se kemi një protestë të dhunshme. Nuk meriton të konsiderohet protestë përsa kohë që lidhet me aktet e dhunës. Të miturit janë nxitur nga segmente politike të PD-së dhe LSI-së.
Janë përdorur nga subjekte politikë duke qenë dhe vetë prezent në protestë sikur ishte dhe rasti i Shkodrës. Të gjithë personat që nxisin akte të ndryshme penale përmes të miturve nën 14 vjeç dënohen deri më 4 vite burg.
Kjo është një fatqetësi shumë e madhe sidomos nga ato parti që flasin shumë për të rinjtë, se si këto largohen dhe se duhet të kenë më shumë vëmendje, por nga ana tjetër i përdorin” – tha Gjonaj.