Në fund të darkës me liderët botërorë në Pragë të Çekisë, Rexhep Tajip Erdogan, dha një konferencë për shtyp, ku iu referua tensionit të ndodhur mes tij dhe kryeministrit grek.
Erdogan, pa përmendur emrin e Kyriakos Mitsotakis, tha:
“Një zotëri u shqetësua nga fjalimi im. Është kundër etiketës së ngrënies. Ai doli dhe foli. Ai deklaroi se kemi përdorur shprehje të ashpra ndaj tij. Nuk është aty ku duhet të jetë. Politikat e tyre ende bazohen në gënjeshtra. Tani e tutje nuk kemi çfarë të diskutojmë me Greqinë”.
Madje, ai përsëriti kërcënimin e tij se “një natë do të vijmë befas”, këtë herë nga territori europian:
“Nuk është vetëm për Greqinë. Kush na shqetëson, na sulmon, do të vijmë një natë befas. Siç e kuptoni, ata e kanë kuptuar se për çfarë po i referohemi”.