Ekzekutimi misterioz i nënës së re, 27-vjeçares shqiptare me origjinë nga Libohovë ka tronditur ata që e njihnin Joana Pecën, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në SHBA ku ajo jetonte prej disa vitesh. Ngjarja e rëndë vijon të jetë e rrethuar me mister.
Policia amerikane kërkon ndihmë për zbardhjen e krimit të rëndë. Përmes një njoftimi në faqen në internet, Departamenti i Policisë në St. Petersburg, që mbulon zonën ku jetonte Joana, thotë se inkurajon këdo që ka një informacion të telefonojë apo të shkruajë çfarë di.
“Detektivët kanë nevojë për ndihmën tuaj për të sjellë para drejtësisë personin/personat përgjegjës për marrjen e jetës së një nëne të re”, thuhet në njoftimin ku jepet gjithashtu numri i telefonit dhe adresa e saktë ku ndodhi krimi.
Ndërkohë prej dy ditësh në rrjetet sociale vijojnë mesazhet që shprehin keqardhje dhe dhimbje të thellë për çfarë i ngjau Joanës, por edhe për fatin dy fëmijëve të mitur të saj. Ata ishin në makinë me nënën e tyre kur ndodhi krimi i rëndë.