Dy ditë më parë janë mbyllur zyrtarisht aplikimet për kandidatët që duan të drejtojnë degët e Partisë Socialiste në 61 bashki të vendit. Sa i përket Gjirokastrës, 4 kandidatëve për të cilët ne raportuarm disa ditë më parë, i janë shtuar edhe dy kandidatura të tjera. Fjala është për Irida Hoxhën dhe Ibrahim Kukën. Hoxha është drejtoreshë e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Gjirokastër.
Kuka drejtues i një biznesi në Pazarin e Gjirokastrës dhe aktivist në radhët e socialistëve. Pra, në total janë 6 emra që duan të marrin drejtimin e PS në Gjirokastër: Ilir Metaj, Mihare Lapaj, Gentian Llogo, Magdalena Margariti, Irida Hoxha dhe Ibrahim Kuka. Zgjedhje sipas parimit një anëtar një votë çuditërisht nuk do të ketë. Kësaj radhe aplikantët do të paraqesin një platformë në asamblenë lokale. Dy emra që do të dalin nga asambleja shkojnë më pas për miratim në Kryesinë e PS, ku normalisht rol deçiziv do të ketë drejtuesi i qarkut për të përzgjedhur fituesin. Gjasat janë që edhe Gjirokastra të shkojë me bashkëkryetarë, një femër dhe një mashkull.
Pra, janë dy emra që përzgjidhen nga asambleja lokale dhe shkojnë më pas për miratim në Kryesinë e PS. Kush i njeh konjukturat lokale në Gjirokastër s’e ka të vështirë ta hamendësojë dyshen fituese. Të tjerët që besojnë se u bë “deti kos” dhe se këtu demokracia partiake është ulur këmbëkryq, në fund të këtij procesi kanë për t’u thënë vetes ngushëllimin klishe që jepet në të tilla raste: rëndësi kishte pjesëmarrja… ©argjiroja.net