Policia e Shtetit dhe ajo bashkiake kanë nisur aksionin për të liruar hëpësirat publike, të cilat janë zënë në plazhin e Durrësit. Mësohet deri më tani janë sekuestruar shezlongët dhe çadrat e tre subjekteve. Aksioni po zhvillohet nga Ura e Dajlanit tek Iliria, si dhe nga Përroi i Agait deri te Shkëmbi i Kavajës, sipas informacionit të marrë në tre sektorë.
Aksioni i policisë është në zhvillim e sipër për të gjitha ato subjekte që kanë zënë territor plazhi pa leje zyrtare.
Një ditë më parë kryeministri Edi Rama paralajmëroi bizneset që t’i largojnë vetë çadrat dhe materialet që kanë vendosur pa leje në të kundërt ato do t’u sekuestrohen dhe nuk do t’iu jepen më.
“Unë dua që t’i bëj thirrje sot subjekteve që nuk janë rregull me dokumentacionin që të largohen nga sipërfaqet që nuk u takojnë me ligj dhe me rregull. Policia e Shtetit do jetë e pranishme në gjithë vijën bregdetare dhe do konfiskojë çdo çadër e shezlong dhe çdo gjë që nuk është e përputhur me dokumentet e subjektit. Plazhet janë të qytetarëve dhe përsa kohë subjektet janë pjesë e turizmit, edhe plazhi është i tyre”, tha Rama një ditë më parë.